Gola dhe asiste, javë fantastike për legjionarët kuqezi

13/11/2023 09:54

Kombëtarja shqiptare nis nga kjo e hënë grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare për dy sfidat e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë në 17 nëntor dhe Ishujve Faroe në 20 nëntor.

Sakaq, legjionarët shqiptarë që aktivizohen në Europë kanë zhvilluar një fundjavë fantastike.

Ndeshje fenomenale për Etrit Berishën, i cili ishte lojtari më i mirë në sfidën Napoli-Empoli (0-1). Portieri i Kombëtares kuqezi e mbajti portën e paprekur kundër kampionëve në fuqi, duke shpëtuar skuadrën e tij në shumë raste.

Në fund u vlerësua me notën 9.1 nga sajti i specializuar për statistika ‘Sofascore’. Solid u shfaq edhe Ardian Ismajli në mbrojtjen e toskanëve.

Sulmuesi Mirlind Daku u rikthye te goli në Rusi me Rubin Kazan, duke realizuar ndaj Sochit. Djaloshi nga Gjilani vulosi fitoren 2-0 të skuadrës së tij, falë një goditjeje spektakolare pranë zonës.

Sakaq, në Belgjikë, Arbnor Muja gjeti rrugën e rrjetës në fitoren e thellë të Antwerp 6-0 ndaj Standard Liege. Sulmuesi kuqezi shënoi golin e katërt të takimit, teksa dhuroi asistin e golit të tretë.

Në Rumani, Arlind Ajeti shënoi gol në barazimin e Cluj 3-3 ndaj Poli Iasi. Qendërmbrojtësi kuqezi realizoi golin e dytë për skuadrën e tij.

Sinjale pozitive edhe nga Suedia, aty ku Arbnor Muçolli dhuroi asistin e golit të fitores për skuadrën e Goteborgut në minutat shtesë (90+5′). Pavarësisht se sulmuesi  kuqezi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në të 89′, vetëm pak minuta më vonë asistoi saktë për shokun e skuadrës duke marrë fitoren e madhe që solli qëndrimin në Allsvenskan.

Në Itali, kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti i dhuroi fitoren Atalantës në Europa League ndaj Sturm Graz me golin e tij në minutën e 50′. Mbrojtësi ishte nër më të mirët në ndeshjen numër 200 me Atalantën. Ndërsa në fundjavë ishte sërish titullar në barazimin 1-1 ndaj Udineses.

Odise Roshi shënoi golin e parë të sezonit me skuadrën e Sakaryasporit. Që triumfoi në transfertë ndaj Bolusporit me rezultatin 2-3. Mesfushori kuqezi ishte i pandalshëm duke realizuar një gol spektakolar.

U rikthye në fushë pas dëmtimit edhe Armando Broja, i cili u aktivizua në fushën e lojës në minutën e 90′ për Chelsean. Menjëherë u shfaq protagonist duke fituar penallti. Në fund Chelsea shmangu humbjen dhe sfida ndaj Manchester Cityt përfundoi me rezultatin 4-4!

Festë pati edhe për Lindon Selahin në Kroaci. Mesfushori, i cili ka veshur katër herë fanellën e Shqipërisë, realizoi golin e parë të Rijekës në barazimin shtëpiak 2-2 kundër kampionëve të Dinamos së Zagrebit.

Titullarë këtë fundjavë me klubet e tyre ishin edhe Elhan Kastrati, Ardian Ismajli, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani dhe Sokol Cikalleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA