Gjashtë të arrestuar në rrjetin e trafikimit të bebeve në Hubei të Kinës (fotot)

13/11/2023 17:09

Një denoncues ka informuar autoritetet në Kinë se drejtori i një spitali materniteti bashkëpunonte me ndërmjetës për të shitur çertifikata lindjeje me çmim rreth 12 euro.

Gjashtë njerëz janë arrestuar në provincën qendrore kineze të Hubei të akuzuar si të përfshirë në një rrjet trafikimi bebesh, të lidhur me një nga spitalet më të mëdha në vend.

Akuzat për spitalin e Xiangyang Jianqiao dolën dy ditë më parë kur një përdorues i rrjetit social kinez me emrin Shangguan Zhengyi, i cili e përshkruante veten si “vullnetar anti-trafikim” postonte një seri informacionesh dhe akuzash ndaj drejtores së spitalit Ye Youzhi.

Ai akuzonte drejtoreshen se bashkëpunonte me ndërmjetës  “online” për të shitur çertifikata lindjeje për 96,000 juan (12 euro).

Pas shitjes së çertifikatës, spitali ndiqte procedurat e zakonshme të regjistrimit të bebeve të reja, duke lëshuar dokumente regjistrimi i vaksinimi, sipas pretendimeve të Shangguan.

Shangguan, i cili pretendon se ka punuar për një vit i infiltruar në spital, akuzonte Ye se ndërmjetësonte shitjen e bebeve, dhe lehtësonte marrëveshje për lindje surrogate, që janë të jashtëligjshme në Kinë.

Ai shtonte se një bebe vajzë ishte shitur në shtator për rreth 118,000 juan (17 euro) dhe më vonë u regjistrua në provincën e Sichuan. Nuk është ende e qartë sesa bebe janë shitur ose trafikuar përmes spitalit.

Drejtoresha Ye ishte mes të arrestuarve sipas qeverisë lokale të Xiangyang, dhe licenca e saj e mjekësisë është anuluar.

Pas akuzave të Shangguan, mediat kineze raportonin se gjinekologia 55 vjeçar eYe, ka qenë përfshirë në disa skandale të tjera mjekësore. Në 2010, ajo ishte dënuar për kryerjen e aborteve selektive sipas gjinisë dhe kishte bërë pesë muaj burg..

Trafiku i fëmijëve është një problem i vjetër në Kinë, teksa gjatë epokës së vetëm një fëmije të lejuar, preferenca për djem sillte që bebet vajza të braktiseshin apo shiteshin në rrjete trafikantësh.

Edhe vitet e fundit autoritetet kanë goditur disa rrjete trafiku dhe keqtrajtimi të fëmijëve.

Në shtator Yu Huaying, një grua nga Guizhou u dënua me vdekje për rrëmbimin e trafikimin e 11 fëmijëve në vitet 1990-te.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA