James Cleverly, i cili deri më tani mbante postin e Sekretarit të Jashtëm, caktohet sekretar i Brendshëm në qeverinë britanike, pas shkarkimit të Suella Braverman.
Ndërkohë, në qeveri rikthehet ish-kryeministri David Cameron, i cili merr detyrën e sekretarit të Jashtëm, që qeverinë e Rishi Sunak.
The Rt Hon @David_Cameron has been appointed Secretary of State for Foreign, Commonwealth and Development Affairs @FCDOGovUK pic.twitter.com/r9fL9dIgzs
— UK Prime Minister (@10DowningStreet) November 13, 2023
Pas marrjes së detyrës, Cameron bëri një postim në rrjetin social “X”, ku u shpreh se ndonëse mund të ketë pasur mospajtime me Sunak, ai është një “udhëheqës i aftë”.
“Kam qenë jashtë vijës së parë në politikë për shtatë vitet e fundit, por shpresoj që përvoja ime si udhëheqës konservator për njëmbëdhjetë vite dhe si kryeministër për gjashtë vite, do të më shërbejë të ndihmoj kryeministrin”.
Ekspertët në Britani e shohin David Cameron si “gomonen e shpëtimit” të Rishi Sunak. Ky i fundit, sipas tyre, po vë në diskutim fushatën e tij për “13 vitet e dështimit të konservatorëve”.
Riorganizimi në qeverinë britanike vjen pas shkarkimit të Suella Braverman këtë mëngjes, disa ditë pasi ajo shkroi një artikull në gazetën The Times, duke kritikuar qëndrimin e policisë gjatë protestave pro palestineze në Londër.
Teksa Braverman u shkarkua, dy ministra të tjerë kanë kërkuar të largohen. Ministri për Shkollat, Nick Gibb, deklaroi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe kërkoi të lërë postin e ministrit, duke shtuar se mbetet “mbështetës i lidershipit të kryeministrit”.
Dorëheqjen e ka kërkuar edhe Neil O’Brien, ministri i Shëndetësisë, me arsyetimin se dëshiron të kalojë më shumë kohë në zonën e tij elektorale.
Top Channel