Falë teknologjisë mRNA, kompanitë bioteknologjike duan të sjellin në treg vaksinat kundër kancerit brenda pak vitesh. Sa realiste janë këto parashikime?
Teknologjia mRNA ka revolucionarizuar mjekësinë brenda pak vitesh. Gjatë pandemisë së koronës, falë kësaj teknologjie u zhvilluan vaksina shumë efektive kundër patogjenit SARS-CoV2 brenda pak muajsh. Madje edhe nëse virusi zhvillon mutacione të mëtejshme agresive, vaksinat e personalizuara mund të zhvillohen përsëri në një kohë të shkurtër falë teknologjisë mRNA. Por teknologjia që së fundmi fitoi çmimin Nobel në Mjekësi mund të bëjë shumë më tepër.
A do të ketë së shpejti vaksina kundër kancerit?
Teknologjia mRNA i ka dhënë një shtysë krejtësisht të re edhe kërkimeve kundër kancerit. Drejtori Ekzekutiv i kompanisë bioteknike Curevac, Alexander Zehnder, dëshiron të sjellë në treg një vaksinë kundër kancerit të bazuar në mRNA, më së voni brenda pesë viteve.
Nëse do të krijohej një vaksinë kundër disa llojeve të kancerit, ëndrra e njerëzimit do të realizohej. “Kërkimet mbi vaksinat e kancerit po zhvillohen për 20 vjet. Por përparimi aktual është i madh,” thotë Zehnder. “Ne kemi fituar shumë përvojë gjatë pandemisë, ndërsa inteligjenca artificiale tani është aq e mirë sa zgjidh shumë probleme në programimin e mRNA,” shpjegon shefi i Curavac në një intervistë për “Bild am Sonntag”.
Vaksinimet kundër kancerit stimulojnë sistemin imunitar në mënyrë që sistemi mbrojtës i trupit të luftojë në mënyrë specifike kundër qelizave tumorale. “Vdekjeprurësja në lidhje me kancerin është se ai vazhdon të rritet. Vaksinimi i kancerit supozohet se do të ndalojë rritjen, edhe nëse kanceri tashmë ka metastazuar. Kanceri do të bëhej kështu një sëmundje kronike, me të cilën mund të jetoni për dekada. Kanceri më nuk do të jetë një dënim me vdekje”, parashikon Zehnder.
Gara për vaksinën
Përveç Curevac, edhe kompani të tjera po hulumtojnë intensivisht për zbulimin e një vaksine kundër kancerit. Në fillim të tetorit 2023, kompania e bioteknologjisë BioNTech publikoi rezultatet e deritanishme të saj shumë premtuese nga një studim klinik, i cili është në vazhdim e sipër. Në këtë studim klinik, vaksina kundër kancerit BioNTech mRNA CARVac tashmë po testohet për efektivitetin e saj me persona testues.
Drejtori i BioNTech, Şahin, njoftoi me optimizmin se, sipas tij, në vitet e ardhshme do të ketë vaksina kundër kancerit. “Ne besojmë se kjo do të jetë e mundur në një shkallë më të gjërë për pacientët para vitit 2030”, tha Ugur Şahin në një intervistë për “Spiegel”.
Në plane afatgjata, vaksinat kundër kancerit synojnë të zëvendësojnë terapitë konvencionale të deritanishme. Ky do të ishte një bekim i jashtëzakonshëm për pacientët, sepse trajtimet e mëparshme me rrezatim ose kimioterapi janë shpesh jashtëzakonisht stresuese dhe të vështira për pacientët me kancer.
“Kimioterapia ose terapia me rrezatim nuk lufton kurrë vetëm tumorin, por edhe indet e shëndetshme. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë efekte anësore”, thotë Zehnder. “Avantazhi i përdorimit të mRNA është se vetë sistemi imunitar stimulohet dhe lufton në mënyrë specifike vetëm kancerin dhe asgjë tjetër”.
Si funksionojnë vaksinat kundër kancerit?
Qelizat T ndihmojnë trupin të luftojë infeksionet duke shkatërruar qelizat e sëmura ose duke stimuluar qelizat e tjera që t’i sulmojnë ato. Por qelizat T kanë vështirësi në njohjen e qelizave kancerogjene. Megjithatë qelizat CAR T mund ta bëjnë këtë.
Terapia me qeliza T CAR lejohet në Evropë që nga viti 2018 dhe deri më tani është përdorur kryesisht për trajtimin e leukemisë, pra kancerit të gjakut. Kjo formë shumë efektive e imunoterapisë është ende e papërballueshme, sepse sipas Qendrës Gjermane të Kërkimit të Kancerit, prodhuesit kërkojnë deri në 320.000 euro për prodhimin e qelizave imune për një pacient.
Në këtë imunoterapi të kancerit, të ashtuquajturat qeliza T filtrohen nga leukocitet, pra qelizat e bardha të gjakut të pacientit. Qelizat T janë modifikuar gjenetikisht në mënyrë që të formojnë receptorët kimerik të antigjenit (CAR) në sipërfaqe. Kjo krijon një receptor, përbërësit e ndryshëm të të cilit në fakt nuk përshtaten së bashku.
Vaksinat i bëjnë qelizat e tumorëve të dukshme
Nëse qelizat CAR-T të prodhuara në këtë mënyrë riinjektohen te pacienti, ato ngjiten në mënyrë specifike në qelizën e kancerit. Sistemi imunitar aktivizohet dhe sulmon qelizat tumorale. Vaksinat e ardhshme mund ta mbështesin këtë proces nëse qelizat CAR-T nuk mund të gjejnë qelizën tumorale ose janë shumë të dobëta për ta luftuar atë në mënyrë efektive.
Proteina Claudin-6, e cila gjendet pothuajse ekskluzivisht në kancer, ndihmon në këtë. Duke përdorur teknologjinë mRNA, informacioni gjenetik i Claudin-6 futet në qelizën tumorale. Kjo krijon një antigjen që ngjitet në sipërfaqen e qelizës tumorale. Dhe kjo e bën më të lehtë identifikimin dhe gjetjen e qelizave të tumorit nga qelizat CAR-T.
Deri më tani, qelizat T të modifikuara luftojnë vetëm kancerin e gjakut. Megjithatë, përparimi i shpejtë në teknologjinë e mRNA jep shpresë se, përveç leukemisë, në të ardhmen do të bëhen të mundshme edhe terapi efektive dhe më të lehta për llojet e tjera të kancerit. Qasjet premtuese përfshijnë vaksinat kundër kancerit të lëkurës (melanoma), kancerit të mushkërive, kancerit të gjirit dhe kancerit të pankreasit./DW
Top Channel