Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ kthehet sonte në një arenë ‘dyluftimi’ ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, një përballje e vlefshme për kualifikueset Euro 2024 në futboll.

Gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami raporton se “atmosfera është pak a shumë e zakonshme, me tifozët brenda stadiumit. Por ato që mbeten të jashtëzakonshme janë masat e sigurisë që ka ndërmarrë Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet izraelite për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje.”

Nga pamjet e siguruara nga Top Channel vihet re se kjo ndeshje do të luhet nën masa të rrepta sigurie për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa autoritetet po marrin masa të sigurojnë të mos ketë ngjyrime jashtë botës së sportit. Policia e Kosovës ka njoftuar që ditën e djeshme për shtimin e trupave të saj pranë njësiteve të policisë pranë stadiumit “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e parë për kombëtaren izraelite që pas nisjes së konfliktit me grupin terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Policia e Kosovës ka bllokuar edhe rrugën “Dritan Hoxha” pranë stadiumit “Fadil Vokrri” për shkaqe sigurie. Ndërkohë, pak pas orës 19:00 ka mbërritur në stadium kombëtarja e izraelit e cila është përcjellë për në satium me njësite të shtuara policore.

Mes të tjerash, kontrollet për tifozët janë të rrepta për shkak të frikës së ndonjë sulmi terrorist. Deri më tani, gjatë kontrolleve, janë ndaluar dy persona edhe pse nuk ka informacione të detajuara për arrestimin e tyre. Krahas këtyre, Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim ku thuhet se nuk duhet të ketë asnjë simbol nacionalist, ksenofob, fetar brenda stadiumit “Fadil Vokrri” gjatë përballjes Kosovë- Izrael.

Sa i përket atmosferës në Kosovë, kolektivi feminist ka vendosur gjatë ditës së sotme krah flamurit që thotë ‘liri për Ukrainën’ edhe një flamur ku shkruhet ‘liri për Palestinën’. Megjithatë, ky flamur është larguar për shkak të masave të marra nga autoritetet kosovare kundër thirrjeve apo simboleve nacionaliste gjatë ndeshjes.

Nga ana tjetër, ambasadorja izraelite në Kosovë ka uruar më herët për një ndeshje të mbarë, thirrje kjo e cila është përcjell edhe nga ambasadorja e Kosovës në Izrael.

Vlen të theksohet se takimi Kosovë- Izrael, i parashikuar të luhej më 15 tetor, u shty nga FIFA me kërkesë të Izraelit pas sulmit të grupit radikal palestinez, Hamas, në qytetet e Izraelit jugor, ku mbetën të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen qindra të tjerë. Shifra këto të cilat janë rritur në mbi 14 mijë të vrarë, mes të cilëve mijëra gra e fëmijë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA