Kosova pret Izraelin në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës, një ndeshje kjo e vlefshme për Grupin I kualifikues të Euro 2024.
Kjo ndeshje ishte parashikuar të luhej në tetor, por lufta që përfshiu Izraelin bëri që takimi të zhvillohet në një moment të dytë. Vetë kushtet në të cilat vjen Izraeli shkaktojnë jo pak tension me policinë e Kosovës që ka marrë masa drastike për të garantuar rendin. Pak para ndeshjes, bëri “zhurmë” edhe një deklaratë e Vedat Muriqit i cili u shpreh se në aeroportin e Prishtinës ishte kontrolluar nga policë të Izraelit.
“Këtu ka ardhur të luajë edhe Mali i Zi edhe Rumania, nuk kemi pasur probleme. Nuk i kanë pasur policët e vet, po vijnë për të luajtur futboll, apo për diçka tjetër? Besoj presioni nuk është te ne. Në aeroportin tonë të Kosovës ka pasë policë të Izraelit, që kanë ardhur të na kontrollojnë. Ne po shkojmë për sport, jo të luftojmë”, u shpreh Muriqi në deklaratën që shkaktoi shumë bujë.
Megjithatë, Federata e Futbollit të Kosovës nëpërmjet një reagimi zyrtar bëri të ditur se fjalët e Muriqit janë keqkuptuar dhe se kontrollet kishin ndodhur në ndeshjen e parë që u luajt në Izrael.
Reagimi i FFK:
Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbollisti i ekipit kombëtar, Vedat Muriqi sqarojnë opinionin publik se prononcimi në lidhje me kontrollin policor në aeroportin e Prishtinës është keqkuptuar. Në pronocimin e tij, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtruar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit. Përndryshe Federata e Futbollit e Kosovës është falënderuese për bashkëpunimin e madh të ofruar nga Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore në lidhje me aspektin e sigurisë për organzimin e ndeshjes ndaj Izraelit.
Top Channel