Kosova përballet sot në ora 20:45 me Izraeli në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje në masa të larta sigurie.

Kjo është ndeshja e parë e Izraelit në një shtet të huaj që nga sulmi terrorist i Hamasit në tetor.

AFP raporton se Policia e Kosovës ndihet e shqetësuar pasi dhjetëra mesazhe që kritikonin fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza filluan të qarkullojnë në mediat sociale nën hashtagun #VrasësiteFëmijëveNukjanëTëLejuar këtu.

Për këtë arsye janë ndërmarrë disa masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e ndeshjes. Tifozët në stadium përveç biletave duhet të kenë edhe kartat e identitetit. Gjithashtu do të kontrollohen dhe ndalohen të gjithë ata që mund të mbajnë çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, apo fetar.

Duke folur përpara ndeshjes kapiteni i ekipit të Izraelit tha se nuk kanë frikë.

“Ne ndihemi të sigurt dhe duam të vlerësojmë gjithçka që po ofron qeveria dhe të gjithë njerëzit përreth këtu në Kosovë, mikpritjen. Unë mendoj se jemi futbollistë, kur futemi në biznesin e futbollit na intereson vetëm sporti. Ne presim nga të gjithë njerëzit rreth nesh, nga populli i Kosovës dhe nga populli izraelit që të përqendrohen te futbolli”, tha futbollisti Eli Dasa.

Ndërkohë, trajneri i Izraelit, Alon Hazan tha se është krenar që është në Kosovë

 “Jemi shumë krenarë që jemi këtu në Kosovë. E di që Kosova ka pasur të njëjtën situatë në të kaluarën si ne dhe uroj që populli juaj dhe populli ynë të jetojnë në të ardhmen në një botë paqësore shumë më të mirë”, tha Hazan.

Tifozeria e përfaqësuese së Kosovës,  “Dardanët” i kanë kërkuar turmës që të fokusohet në “mbështetje të skuadrës” dhe i ka lutur që të mos përfshihen në thirrje ofenduese.

Në vitin 2016, policia e Kosovës, me bashkëpunimin e forcave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut parandaluan sulmet e planifikuara të një grupi që identifikoheshin me Shtetin Islamik ndaj skuadrës së Izraelit që po luante një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës në Tiranë dhe një objektiv tjetër në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA