Orë të vështira po kalon e majta greke.
45 anëtarë të lartë të saj të grupimit të ashtuquajtur “Οmbrella”, me një letër drejtuar Këshillit Qëndror të partisë në ditën e dytë të konferencës së tij , kanë deklaruar se largohen nga partia më e madhe opozitare e Greqisë.
Ky grupim kryesohet nga ish ministri i Financave, Efklidhis Tsakalotos, i cili do të deklarohet nesër bashkë me një anëtare tjetër të tij, si deputetë të pavarur, duke e zvogëluar edhe më shumë grupin parlamentar të Syrizës.
Grindjet dhe polemikat në gjirin e Syrizës kanë mbizotëruar menjëherë pas humbjes së turpshme në zgjedhjet e dyfishta parlamentare në majin dhe qershorin e kaluar, si dhe pas dorëheqjes së liderit të saj Aleksis Tsipras.
Por hendeku midis grupimeve të ndryshme të aleancës së Radikalëve të Majtë është thelluar sidomos pas zgjedhjes së liderit të ri të saj, homogjenit greko-amerikan Stefanos Kasselakis, një person thuajse i panjohur për politikën dhe vetë partinë në fjalë.
Kahu i kandidatëve të humbur ka filluar prej asaj dite të shprehë pakënaqësi duke shenjtëruar bazat ideologjike të liderit të ri , të cilat sipas tyre nuk përputhen me parimet e së Majtës.
Pas largimit të grupit të parë të madh, pritet në orët në vazhdim të largohen nga Syriza edhe të paktën një grupim tjetër, i kryesuar nga ish ministrja e Punësimit dhe kandidate për kreun e partisë, Efi Ahtsioglou.
Kjo do të sillte një numër tjetër deputetësh të Syrizës të deklarohen të pavarur ,me pasojë që kjo parti të mos jetë më forca e parë opozitare në parlamentin grek, duke i lënë vendin socialistëve të Pasokut.
Gjithsesi të përfituar nga gjithë kjo katrahurë që po vazhdon prej disa muajsh tek e Majta greke, dalin kosnservatorët që tashmë luajnë në fushë pa asnjë kundërshtar të fuqishëm.
Top Channel