Në një panel në kuadrin e Forumit të Paqes në Paris, kryeministri Albin Kurti riktheu një temë të vjetër, por me sa duket, jo të harruar prej tij.

Atë të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, të hedhur vite më parë nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç. Ndryshimi i kufijve, tha Kurti, ka dështuar si plan, e megjithatë, si ide, ende mbahet gjallë nga udhëheqësit e Serbisë.

“Beogradi nuk ka qenë fort i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e shkaktoi. Tani jetojmë në një epokë ku ky projekti i shkëmbimit të tokave dhe territoreve ka dështuar, por unë besoj se ideja ende s’ka vdekur. Dhe e shoh shumë shpesh kudo që takohem dhe dëgjoj presidentin e Serbisë teksa flet publikisht apo angazhohet në diskutime në dialog në Bruksel sepse kjo fantazia e tij mund të mos jetë e prekshme në kuptimin e realitetit faktik, por ajo kushtëzon të menduarit, sjelljen apo veprimtarinë e palëve.  Njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës e këmbimin e ndryshimin e kufijve, e kanë shumë të vështirë ta braktisin këtë nostalgji e trishtim dhe të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike e europiane”, tha Kurti.

Kurti nuk kurseu as Thaçin në fjalën e tij, si përkrahës të kësaj ideje të cilën kreu i ekzekutivit kosovar vazhdon ta anatemojë. Ka pasur homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, u shpreh ai, sepse në atë kohë kjo është parë si një zgjidhje aty për aty. Si një korrigjim i shpejtë mes liderësh autoritarë që flasin për popullin si për familjet e tyre dhe për shtetet, si për prona private, ishte komenti i ashpër i Kurtit.

Top Channel