Forcat e sigurisë në Venezuelë thanë sot se kanë marrë kontrollin burgut ‘të shtatë e të fundit’ që kontrollohej nga bandat kriminale, në operacionin madhor për çmontimin e krimit të organizuar.
Me operacionin e kryer në burgun e San Felipe të njohur dhe si ‘La Cuarta’, “100% e burgjeve të vendit janë nën regjimin e ministrisë së burgjeve”, tha ministri i brendshëm Remigio Ceballos.
Ai shtonte se burgu i Vista Hermosa, në rajonin jugor minerar Bolivar, “është nën kontrollin e forcave qeveritare” i cili ishte burgu më i populluar i vendit, nga i cili ishin zhvendosur disa qindra persona.
Prej ditësh ministria e burgjeve të Venezuelës publikon imazhe të të burgosurve të reshtuar e shtrirë në dyshemetë, të prangosur e të ngjeshur me njëri-tjetrin.
Autoritetet thonë se nisën operacionin e tyre më 20 shtator, duke nisur me rimarrjen e kontrollit të burgut Tocoron në rajonin e Aragua.
Aty zyrtarët kishin gjetur armë, restorante madje dhe kafshë ekzotike për krerët e bandave, ku këta të fundit regjistronin video dhe i shpërndanin në rrjetet sociale.
Thuajse në të gjitha burgjet e bastisur zyrtarët e sigurisë kishin gjetur arsenale armësh, që ishin përdorur në krime jashtë burgjeve.
Presidenti Nicolas Maduro kishte bërë thirrje për aplikimin e një regjimi të ashpër në kontrollin e të burgosurve, por nuk bëhet e ditur sesi situata kishte arritur deri në këtë pikë.
Top Channel