Policia e Shtetit ka zhvilluar sot një megaoperacion në gjithë vendin kryesisht për kapjen e personave të shpallur në kërkim. 

Operacioni, i quajtur “Sundimi i ligjit”, filloi që në orët e para të mëngjesit, ku u angazhuan 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Si rezultat deri më tani janë vënë në pranga 25 persona, nga të cilët janë arrestuar 19 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 i shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për vepra penale kundër personit, pronës dhe në fushën e narkotikëve. Gjithashtu 5 persona janë arrestuar në flagrancë, për armë e drogë.

Policia ka sekuestruar gjithsej 9 armë zjarri, sportive e gjahu, një mjet prerës dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Konkretisht:

Qarku Tiranë/ Shtetasit në kërkim: Fatmir Hoxha, Qazim Musteqja, Blerim Kullaj, Serxho (Jetmir) Dosku, Emilton Pjetri dhe Trazhgim Maçi. Shtetasit e arrestuar në flagrancë: Rubin Gjeta dhe Erjol Hajdari.

Qarku Dibër/ Shtetasi në kërkim ndërkombëtar: Mergim Lazri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë. Shtetasit në kërkim kombëtar: Elson Gjoka dhe Edison Shehu.

Qarku Durrës/ Shtetasit e shpallur në kërkim kombëtar: Arber Denizi, Shpëtim Sharra

Qarku Fier/Shtetasi i arrestuar në flagrancë: Markos Berberaj

Qarku Shkodër/ Shtetasi në kërkim: Kristian Fermosi.

Qarku Berat/ Shtetasi në kërkim: Andjon Matarangasi

-19 persona të tjerë të kërkuar kombëtarisht: për tentativë për vrasje të dyfishtë në Shkodër; për plagosje të rëndë me dashje ose për armëmbajtje pa leje në Dibër; për llogari të SPAK-ut; në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” (3 persona në Tiranë dhe 1 shtetas në Durrës); për raste të tjera në fushën e narkotikëve në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Berat; për vjedhje në Tiranë dhe në Fier ose për veprimtari të tjera kriminale, janë kapur dhe janë vënë në pranga;

-3 armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë dhe në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga;

-61.5 gramë kokainë dhe 500 doza cannabisi janë sekuestruar në Tiranë dhe në Dibër, si dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit që i posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen.

Sipas policisë, materialet procedurale për secilin rast i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa operacioni “Sundimi i ligjit” vijon në të gjithë vendin.

Top Channel