Më i miri te Atalanta, elozhe pa fund për Gjimshitin: Shumë nerv dhe prezencë në zonë

10/11/2023 09:27

Atalanta siguroi kualifikimin nga faza e grupeve të Europa League (i duhet edhe një pikë për të siguruar vendin e parë në grup) teksa bergamaskët mposhtën në shtëpi, Sturm Graz me rezultatin 1-0.

Një gol i cili u realizua nga Berat Gjimshiti, i cili falë këmbënguljes në minutën e 50, shkundi rrjetën e austriakëve. Ishte një gol special për mbrojtësin e kombëtares që realizoi pikërisht në ndeshjen numër 200 për Atalantën.

Një paraqitje fantastike e shqiptarit, dhe jo vetëm prej golit të realizuar pasi tashmë 30-vjeçari është shndërruar në liderin e Atalantës. Në notat pas ndeshjes, Gjimshiti ishte lojtari më i vlerësuar, së bashku me Hateboer, duke merituar notën shtatë nga Eurosport.

Gjimshiti, nota 7- “Një gol falë këmbënguljes dhe që rezultoi si goli që vendosi ndeshjen. Gjimshiti tregoi shumë nerv dhe prezencë në zonën e kundërshtarëve. Një mënyrë e shkëlqyer për të festuar ndeshjen e tij të 200 me fanellën e Atalantës”, shkruhej në përshkrimin e Eurosport për paraqitjen e Gjimshitit.

Kjo paraqitje kaq pozitive e Gjimshitit duket se vjen në kohën e duhur para grumbullimit me kombëtaren, teksa Shqipëria në dy ndeshjet e nëntorit pret të vulosë kualifikimin për në Europianin e verës së ardhshme që zhvillohet në Gjermani dhe mbrojtësi është një prej titullarëve të kuqezinjve./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA