Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç qëndrojnë sot në Paris për Forumin e Paqes me rastin e Ditës së Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore.

Edicioni i gjashtë dyditor i këtij forumi mund të kthehet në shansin për një përballje të drejtpërdrejtë mes dy liderëve, por për këtë nuk dihet ende asgjë me saktësi. E konfirmuar është se si Kurti, ashtu edhe Vuçiç do të kenë takime të rëndësishme me përfaqësues të vendeve evropiane në margjinat e samiti, të cilat do të jenë sërish një mundësi për t’u thënë atyre se duhet të ndërmarrin hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars.

Sot pritet ndërkohë edhe një takim i kreut të shtetit francez, Emmanuel Macron me homologun e tij serb. Që nga fundi i tetorit dihet se BE-ja dhe SHBA-të po insistojnë që Serbia ta njohë de fakto Kosovën, ndërsa Kosova të krijojë Asociacionin e komuna me shumicë serbe. Si Vuçiç, ashtu edhe Kurti e cilësuan sit ë balancuar propozimin e fundit të bllokut. Megjithatë, sinjalet që mbërrijnë nga Beograd tregojnë se as këtë radhë, nuk ka për të qenë e lehtë për ndërkombëtarët vulosja e një ujdie zbatimi.

Pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se bashkësia ndërkombëtare insiston në formimin urgjent të Komunitetit të Komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në mënyrë që të mos jetë një shtresë e re e qeverisjes e të mos ketë pushtet ekzekutiv, reagoi  drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç i cili tha se Asociacioni “nuk do të jetë kurrë një organizatë joqeveritare në kuadër të së cilës përfaqësuesit e disa përfaqësive perëndimore në Prishtinë do të donin ta vendosin atë”.

Ndërsa Vuçiç vetë e ka deklaruar hapur se nuk do ta nënshkruajë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Top Channel