Një incident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mbledhjen e Komisionin për Çështjet Europiane. 

Deputetët e opozitës Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja apo Ina Zhupa kanë kërkuar që komisioni të mbyllet, duke mos lejuar që mbledhja të vazhdojë.

Në këtë komision po diskutohej miratimi i i Kalendarit të Komisionit për shqyrtimin e paketës fiskale dhe të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2024”.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes, deputetët kanë ndërhyrë duke përplasur duart mbi tavolinë ndërsa kanë ngritur edhe zërin.  “Mbylle mbledhjen”, dëgjohet Bylykbashi dhe të tjerët teksa i drejtohen Etilda Gjonajt. Kjo e fundit tentoi disa herë t’i qetësojë por pa rezultat. Ky është rast i përsëritur nga deputetët pasi kanë penguar mbledhjen edhe në komisione të tjera.

Jashtë mbledhjes ka pasur edhe një përplasje mes dy deputetëve të opozitës. Sherri ka nisur pasi deputeti Dashnor Sula nga grupi i Gazmend Bardhit e ka quajtur Kreshnik Çollakun, deputet i “Rithemelimit”, “dele”, pasi ky i fundit nuk largohet nga salla.

“Jeni bërë dele o Niku”, i thotë Sula deputetit.

“Nuk e bën Ina Ramën presidente”, i kthehet Çollaku, për emërimin e ish-kryeprokurores si kryetare të shtetit.

Sula: Unë e kam bërë dhe jam krenar, o kokrra… mos them ndonjë gjë tjetër.

Pas daljes nga mbledhja Çollaku i drejtohet ashpër, ndërsa e akuzon se e goditi.

Çollaku: Bëj punën tënde, të foli njeri? Mos bëj si trim o dash, e di unë ça je, jo më mu…

Sula: Ik tashi.

Çollaku: Të bëj kallëzim penal. Palaço, servil legen.

Sula: Faleminderit.

Çollaku: Legen.

Sula: Vazhdo vazhdo… Ai më shan unë asgjë…

Çollaku: Deputeti qëllon deputetin.

Sula: Ku të qëllova o mashtrus?

Çollaku: Servil, palaço. Bën si demokrat opozitar e në darkë të çon mesazhe. Ku i ke tenderat?

Sula: O mashtrus.

Më vonë, në një konferencë për media deputeti Kreshnik Çollaku e quajti incidentin të turpshëm, ndërsa shtoi se Suli e sulmoi verbalisht, më pas edhe fizikisht.

“Incident i turpshëm në kryesinë e Kuvendit.  Shkova per të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të integrimit europian. U gjenda me një situatë surprizë. Të pranishëm ishin ish kolegë të mi, po kjo nuk më shqetësonte.  Një ngjarje e cila më turpëron. Sulm i paarsyetueshëm verbal e pastaj fizik. Shqetësimi im është si mund të degradojë parlamentarizmi në këtë formë. Sot një ditë që turpëron cdo palë të parlamentit”, tha Çollaku.

Nga ana tjetër deputeti Dashnor Sula ka reaguar në një postim në Facebook: “Provokimi i kolegëve opozitarë, duke u bashkuar me deputetët socialist për t’i bërë kuorumin e mbledhjes, është akti më i shëmtuar i dikujt që është në Kuvend me votat e opozitarëve. Në vend që të bashkohet me deputetët e opozitës për të drejtat kushtetuese të opozitës, i bashkohet korit të rremë të socialistëve për dhunë imagjinare, që as ka ndodhur dhe as nuk do të ndodh”.

Top Channel