Çmimet “Vangjush Gambeta”/ ‘Inside Story’ vlerësohet për raportimin më të mirë televiziv në 2022-shin

10/11/2023 15:35

Gazetarja e emisionit investigativ “Inside Story” në Top Channel është vlerësuar me çmimin “Vangjush Gambeta” për raportimin më të mirë televiziv gjatë vitit 2022.

Çmimet “Vangush Gambeta” janë çmimet për gazetarinë ekonomike, që shpërndahen çdo vit nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Çmimi u akordua për dokumentarin “Bordi i (Mos) Transparencës” një investigim që hidhte dritë mbi skenarët e vendosjes së çmimit të karburanteve gjatë periudhës që funksiononte bordi i transparencës.

Mes të tjerash, dokumentari solli prova konkrete se si anëtarët e bordit që përcaktonin çmimet ishin në konflikt interesi.

Po ashtu, raportimi në fjalë zbuloi dokumente ekskluzive që nxirrnin në pah abuzimet në caktimin e çmimeve.

“Bëj një apel gazetarëve që t’i transmetojmë lajmet në mënyrë sa më të thjeshtë që edhe publiku t’i kuptojë abuzimet me tenderat”, tha Entela Barjamaj.

Çmimet “Vangjush Gambeta” këtë vit u ndanë për herë të 15-të dhe përfshinë disa kategori: si median on line, median e shkruar, çmimet e karrierës dhe çmimi i reporterit të vitit.

Inside Story vlerësohet për të disatën herë nga ndërkombëtaret dhe organizatat që monitorojnë median në Shqipëri.

Top Channel