Agjencitë e mëdha mohojnë raportimet se kishin njohuri paraprake për sulmin e Hamas në Izrael (fotot)

10/11/2023 18:32

Agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’, ‘Reuters’, ‘New York Times’ dhe ‘CNN’ thanë se sugjerimet ishin të pavërteta, të përçmueshme dhe të papërgjegjshme.

Akuzat erdhën prej pamjeve të transmetuara prej tyre, thuajse në kohë reale gjatë sulmit.

Katër nga organizatat më të mëdha në botë të informacionin mohonin sot fuqimisht se kishin njohuri paraprake për sulmin vrasës të militantëve të Hamas brenda Izraelit më 7 tetor, në kundërpërgjigje të së cilit Izraeli po bombardon prej katër javësh zonat e populluara në Gaza duke vrarë më shumë se 10 000 njerëz.

Sugjerimi ishte shfaqur në një artikull të rrjetit ‘HonestReporting’, që e përshkruan veten si agjenci që lufton kundër-informacionin për Izraelin dhe sionizmin.

Sugjerimet janë përmendur tashmë nga dy politikanë të vjetër izraelitë, që thanë se “gazetarët që kishin njohuri paraprake për sulmin ‘duhet të trajtohen si terroristë’”.

Agjencitë Associated Press, Reuters, New York Times e CNN bënë mohime të forta përballë pyetjeve mbi fotografët palestinezë në Gaza që dokumetuan sulmin e Hamas brenda territorit të Izraelit, ku raportohet se u vranë 1,400 njerëz.

Gil Hoffman, drejtor i HonestReporting, ka pranuar se nuk ka prova për të mbështetur sugjerimet e artikullit, por shtonte se “ka pyetje legjitime që kërkojnë përgjigje”.

Benny Gantz, ish-minister mbrojtjeje, anëtar i kabinetit të luftës së Izraelit, tha më parë në rrjetet sociale: “Gazetarët që e kanë ditur për masakrën, dhe që nuk bënin gjë para vrasjeve të njerëzve e fëmijëve, nuk kanë dallim nga terroristët, prandaj duhet të trajtohen si të tillë”.

Por ashtu dhe Danny Danon, ish-ambasador izraelit në OKB, tha se gazetarët që kanë regjistruar pamjet e sulmit do të shtohen në listën e terroristëve për t’u eliminuar. “Ne do t’i kërkojmë njëlloj si terroristët”, tha ai.

Në deklaratën e tij rrjeti New York Times tha se akuzat se agjencia ka pasur dijeni për sulmet terroriste janë “të pavërteta dhe revoltuese”.

Ndërsa duke iu referuar Yousef Masoud, fotografit të tyre që përmendej në artikullin e HonestReporting ata shtonin: “Nuk ka prova për insinuatat e  HonestReporting. Puna e Masoud është e njëjtë me atë të gazetarëve të tjerë në raste të ngjarjeve madhore, duke dokumentuar tragjedinë teksa ndodhte”.

Associated Press tha se nuk kishte dijeni për sulmet e 7 tetorit para se ato të ndodhnin, por kishin marrë foto nga gazetarët e tyre rreth një orë pas nisjes së sulmeve.

Ndërsa agjencia Reuters tha se “mohojmë kategorikisht njohuri paraprake për sulmin, apo se kemi pasur gazetarë të infiltruar me Hamas më 7 tetor. Reuters ka marrë fotot e saj nga dy gazetarë ‘freelance’ në Gaza, që gjendeshin në kufi mëngjesin e sulmit, me të cilët nuk kishim bashkëpunuar më parë”.

Dy rrjetet amerikane AP e CNN thanë dje se kanë ndërprerë marrëdhëniet me Hassan Eslaiah, fotografin që shpërndau imazhet e sulmuesve të Hamas që kalonin kufirin.

Por rrjeti HonestReporting postonte dhe një foto të Eslaiah teksa puthej nga lideri i Hamas, Yahya Sinwar.

Në artikullin e HonestReporting thuhej: “Terroistët e Hamas nuk ishin vetëm kur dokumentonin sulmin e tyre në kufirin jugor të Izraelit, por me disa gazetarë që vinin nga Gaza dhe punonin për agjenci si Associated Press e Reuters. Prezenca e tyre në sulmin e mëngjesit herët ngre shqetësime serioze etike”.

Më tej shtohej: “A mund të supozohet se gazetarët ishin aty rastësisht në mëngjesin e sulmit, pa u koordinuar më parë me terroristët, apo ishin pjesë e planit?”

Deri tani 39 gazetarë e punonjës të medias janë vrarë në konfliktin në Gaza, sipas komitetit të mbrojtjes së gazetarëve, që është gjendja më e rëndë që prej vitit 1992. 13 të tjerë janë të zhdukur dhe tetë të plagosur, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.

FOTO GALERI
3/3
Izraeli po bombardon prej katër javësh zonat e populluara në Gaza duke vrarë më shumë se 10 000 njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA