Përfundon mes kaosit seanca plenare/ Deputetët e opozitës grumbulluan karriget në foltore, ndezën tymuese

09/11/2023 10:20

Seanca plenare e kësaj të enjteje nuk zgjati më shumë se 20 minuta dhe u mbyll mes kaosit dhe tymueseve.

Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget e Kuvendit dhe ndezën tymueset me qëllim bllokimin e seancës.

Opozita është e vendosur të mos lejojë jetë normale parlamentare deri në plotësimin e kërkesave të saj: Ngritjen e komisioneve hetimore, përfshirjen në komisionin e reformës zgjedhore dhe mazhoranca të heqë dorë nga përfshirja në zhvillimet e brendshme të opozitës.

Ndërsa është krijuar situatë e pazakontë në Kuvend, deputetët kanë ndezur tymuese në sallë.

Deputetët janë përfshirë edhe në debate mes tyre, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla drejtoi seancën, edhe pse mes zhurmës së rënies së tavolinave nga opozita.

Ndërsa kaosi vijonte, Berisha ka hyrë live në Facebook duke ka hedhur akuza ndaj maxhorancës.

Berisha: Përsëri sot vazhdon mosbindja civile, protesta paqësore e parlamentarëve të opozitës me të drejta kushtetuese të mohuara. Prej 18 muajsh me urdhër të Edi Ramës ky parlament nuk lejon ngritjen e Komisioneve Hetimore në kundërshtim të Kushtetutës. Nuk mundet Edi Rama të pranojë këto komisione sepse ato do të zbulojnë së pari familjarët e tij që janë vërsulur pas tenderave dhe pasurive publike. Nuk mundet Edi Rama të pranojë këto komisione sepse është shumëfish i inkriminuar dhe sillet si kreu i një organizate kriminale për vendin. S’ka sesi pranon ai komisionet për PKK. Për Portin e Durrësit. Edi Rama nuk mund të pranojë komision hetimor parlamentar për investitor strategjik sepse mes tyre janë Pëllumb Gjoka, deputetë dhe ministra të tjerë këtu mes të cilëve Olta Xhaçka, mes tyre janë trafikantë. Rama përdor ligjin e investimeve strategjike për të mbyllur miliarda euro offshore. Mcgonigal me Edi Ramën i hoqën një licencën një kompanie mikse ruse-austriake dhe ja dhanë Deripaskës. Për të gjitha këto McGonigal ka pranuar fajet. Pushoni ju. Mos bëni zhurmë. Nëse nuk dëgjoni mos bëni zhurmë dëgjoni. Këmbanat bien për ju. Ta keni të qartë. Kjo është situata në parlament. Parlamenti është i drejtave kushtetuese, i të drejtave pa kthim..

Berisha-Ballës: Të dashur qytetarë, e shihni atë kriminelin aty, ai është më kriminel se banditët e Elbasanit, se banditët e Bajrëve, se Rrajat, se gjithë të tjerët. Se ai është shërbëtor i shpifur i tyre. Është një fundërrinë njerëzore, që nuk njeh asnjë lloj kufiri dhe morali. Ai që mban sot mandatin e ministrit të Brendshëm, është një njeri që duhet të jetë prej vitesh në burg. Ai është i akuzuar për vrasje dhe mercenarët e tij që ka sjellë në SKAP i kanë vjedhur shiritat. Ai është i akuzuar për shoqërim- me fakte- në 54 raste në udhëtimet e tij jashtë shtetit, të Edmond Begos, ish-zëvendësit të Aldo Bares, të dënuar në Itali me 15 vite burg. Ai është i akuzuar, i faktuar, për udhëtimet e tij me Kolombo Gjokën, famozin e Metamorfozës. Ai është i akuzuar se ka liruar kriminelë nga komisariatet e policisë. Kur të flas, unë pusho ti. Pusho të thashë! Pra, ky është Taulant Begoja, i cili shkarkon oficerë policie se kishin IMSI Catcher epo Encrochat. Ky është hajduti, ky është krimineli që vodhi të dhënat e TIMS-it. Prandaj nuk lejohet komisioni hetimor parlamentar për TIMS-in. Por ne këtu jemi. I bindur të jesh ti se vrimë miu nuk do gjesh, komisioni do ndërtohet.

Taulant Balla-deputetëve të opozitës:Sot është një seancë e veçantë sepse pjesa më e madhe e projektligjeve janë propozime që vijnë nga deputetët e opozitës dhe natyrshëm që do të ishte e udhës që deputetët e opozitës të merrnin fjalën dhe të shpjegonin qëllimet për të cilat kanë marrë këto iniciativa ligjore. Në fakt deputeti ligjvënien dhe propozimin për ligje e ka detyrën e tij primare. Kjo pamje tregon që këtë punë nuk e keni marrë kurrë seriozisht. Fakti që nuk pranoni të prezantoni projektligjet që keni propozuar vetë, e përkeqëson marrëdhënien tuaj me njerëzit sepse në fund të fundit, secili prej jush, kush më shumë e kush më pak, se ka dhe deputet që kanë ardhur me 364 vota në këtë sallë, e megjithatë keni detyrën që ta ushtroni mandatin që ju ka ngarkuar populli me përgjegjshmëri.
Thirrja ime ndaj pjesës më të madhe të deputetëve që janë në krahun e djathtë të kësaj salle, ju lutem , mos u keqpërdorni nga interesi dhe halli personal i një njeriu të vetëm. Ky njeri e ka marrë peng PD-në prej 33 vjetësh. Kjo që ndodh sot këtu nuk ka të bëjë fare as me parlamentarizmin, as me kërkesat e opozitës, sepse meqenëse kërkoni komisione hetimore parlamentare, përse nuk mblidhni 28 firma dhe ta çoni ankesën tuaj në Gjykatë Kushtetuese?! A i keni ezauruar ju të gjithë instrumentet ligjorë për të shkuar në Gjykatë Kushtetuese? Apo keni harruar që Gjykata Kushtetuese jua ka rrëzuar kërkesat?! Shkoni çoni kërkesën në Gjykatë Kushtetuese dhe në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë që ju është mohuar e drejta, jam plotësisht dakord. Por mos harroni asnjëherë që detyra e Kuvendit është pikë së pari zbatimi i Kushtetutës, së dyti është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
E pra ne nuk i vemë kurrë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Na ka ngarkuar Gjykata Kushtetuese se që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore. Prandaj është e rëndë që deputetë të opozitës të përdoren për interesin personal të një individi. Por dëmi më i madh është imazhi i keq që ju doni t’i bëni Kuvendit të Shqipërisë.

Shqipëria sot mbylli tetorin me 9 milionë vizitorë turistë. Dhe ne presim që deri në 31 dhjetor, Shqipëria të ketë plot 10 milionë turistë.
Ai njeriu ka 33 vjet që është munduar të dëmtojë sa të ketë mundësi, imazhin e Shqipërisë. Por ta harroni ju se Shqipëria mund të kthehet më pas. Shqipëria e ka marrë vendimin e vet. Vetëm përpara, nuk kthehet më prapa. Përpjekja juaj për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë është një përpjekje e dështuar. Prandaj, duke e përmbyllur, dua t’i kujtoj disa prej deputetëve që u përfshinë në akte të paligjshme, vendosja e flakadanëve e lëndëve kimike në salla të mbyllura dhe të hapura në se doni, është një vepër penale. Mos fol ti që shkoje dhe i bëje presion ushtarakëve për të firmosur, ti mos fol! Ti duhet të jesh në bankën e të akuzuarve, por përfiton për shkak të parashkrimit. Ti që je përdorur për t’u bërë presion ushtarakëve, ti je i fundit. Dhe natyrshëm si të kanë përdorur do të vazhdojnë të përdorin, nuk flas për ty. Unë flas për deputetë të ndershëm të cilët sot po keqpërdoren për hallin e atij dhe hallin tënd. Prandaj deputetë mos përdorni lëndë kimike në sallën e kuvendit! Mos u përdorni mish për top për hallin e një personi të vetëm!

Ina Zhupa: Jeni kamikazë, u keni vënë bomba parlamentit.

Mes kaosit, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj kërkoi rrëzimin e disa projektligjeve të propozuara nga opozita. Me 75 vota kundër, të gjitha propozimet e opozitës u rrëzuan.

Ermonela Felaj-opozitës: Po shkoni si dele qorre pas një njeriu të vetëm. Nismat tuaja janë thjesht për t’i shërbyer politikës një njeriu të vetëm. Sali Berishës. Të rrëzohen kryetare.

FOTO GALERI
6/48

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA