Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka publikuar vendimet në lidhje me javën e fundit në futbollin shqiptar.
Përveç gjobave të zakonshme dhe pezullimeve, bien në sy masat ekstreme për të bllokuar merkaton e tre klubeve të Superiores, Tiranës, Dinamo dhe Skënderbeut për arsye të mosshlyerjes së detyrimeve financiare.
Merkato e këtyre klubeve do të jetë e bllokuar për tre afatet e radhës ndërsa ky vendim mund të hiqet vetëm nëse klubet e sipërpërmendura paguajnë detyrimet.
Vendimet e Disiplinës:
- KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë;
- Zyrtari i FK Apolonia, Robert Caushaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë;
- Lojtari i KF Butrinti, Ardit Jaupaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë
- Zyrtari i KF Butrinti, Dhiogjen Muço, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë
- KF Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 5, datë 09.07.2021 dhe vendimit nr. 5, datë 02.06.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- FC Dinamo, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 2, datë 06.03.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- KF Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1, datë 10.06.2022 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/c të KDE, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 (tre) periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.
- Pranimin e kërkesës së FC Dinamo për konvertimin të pjesës së mbetur të dënimit për lojtarin Bakary Goudiaby në bazë të nenit 75 të KDE.
- Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Teuta, Fatmir Koci, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
- Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të KF Tirana, Akil Jakupi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Besëlidhja, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
Top Channel