Ballkani mori një pikë me vlera në Kazakistan përballë Astanës vendase, rival ndaj të cilit kampionët e Kosovës ishin mposhtur në “Fadil Vokrri”.
Trajneri i skuadrës nga Theranda, Ilir Daja u shfaq i kënaqur me performancën dhe barazimin 0-0, që mban kampionët dardanë në garë për kualifikimin në grupin C të Conference League.
“Besoj se meritonim më shumë sepse kemi kontrolluar më shumë topin, në përqindjen më të madhe e kemi diktuar lojën. Kemi patur shanset tona, kemi bërë një lojë shumë të mirë, sepse ndryshimi i orarit, gati 5 orë me Kosovën, është i ndjeshëm. Bëmë një lojë akoma më të mirë se në Prishtinë, edhe pse kishim përballë një ekip të fortë fizikisht dhe taktikisht. Jam i kënaqur edhe me barazimin, edhe pse fitorja do të ishte edhe rezultat më i mire.
Ndeshja shkoi sipas planit. Në mbrojtje kemi luajtur shumë mire, por në 20 metrat e fundit mund të kishim bërë zgjidhje më të mira. Kemi barazuar rekordin tonë të pikëve nga edicioni i kaluar. Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Do t’i luajmë deri në fund shanset tona për të kaluar grupin.
Nuk kemi patur objektiv kalimin e grupit, por kjo pritshmëri është rritur pas fitores me Dinamon. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin për ta prezantuar më së miri futbollin e kampionatit të Kosovës”, u shpreh Daja./ Supersport
Top Channel