Ylber Ramadani ishte protagonist i një bashkëbisedimi interesant të hënën e kaluar në emisionin “Analizë Kuqezi” ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Sokol Xhihani, por edhe të publikut në lidhje me eksperiencën e tij me kombëtaren edhe në Itali me Leccen.
Një intervistë që ka gjetur hapësirë dhe në mediat ndërkombëtare, por ku për fat të keq në disa prej të cilave fjalët e mesfushorit Shqiptar në lidhje me interesimin e mundshëm të Inter janë keq-intepretuar. Mesfushori shqiptar duke iu përgjigjur një prej pyetjeve të publikut, nuk ka folur për tratativa me Interin, thjesht si një profesionist është shprehur se ndihet i vlerësuar kur emri i tij përmendet në lidhje me një klub të madh si zikaltërit,.
“Këtë lajm e kam parë në media. Është një motivim shumë i madh për mua. Kur flitet për një ekip si Interi, është një motivim më i madh për mua, që të mos ndaloj së punuari për të shkuar në ato nivele”, deklaroi mesfushori shqiptar i Leçes.
Gjithashtu pak më herët Ramadani i pyetur se kur do të vinte goli i tij i parë në Serinë A, kishte shprehur dëshirën të shënonte që në takimin e radhës me Milan, por në një pyetje që nuk kishte aspak lidhje me atë që do të vinte më pas në lidhje me interesimin e mundshëm të Interit.
“Shpresoj që golin e parë në Serinë A ta gjej në ndeshjen e radhës, atë ndaj Milanit. Ju premtoj se nëse shënoj, do të jemi sërish në studio për të diskutuar”, tha Ramadani.
Siç është e qartë dhe nga deklaratat që risjell SuperSport, mesfushori shqiptar në asnjë moment nuk e ka lejuar veten të dalë nga kornizat e profesionalizmit duke u shprehur se dëshiron të shkojë te Interi apo që dëshiron t’i shënojë Milanit si tifoz i zikaltërve, siç është raportuar nga media të ndryshme kryesisht online që kanë keqinterpretuar fjalët e futbollistit të Lecces.
Edhe vetë mesfushori reagoi në llogarinë e tij në Instagram ka sqaruar situatën, për të mos lënë vend për keqkuptime. /Supersport
Top Channel