Irani dënon me pesë vjet burgim një shtetas francez/ Familjarët: Po udhëtonte si turist

08/11/2023 18:11

Irani ka dënuar shtetasin francez, Louis Arnaud, me pesë vjet burgim nën akuza që lidhen me sigurinë kombëtare.

Familja e tij tha se ai po udhëtonte në Iran si turist.

Nëna e Arnaudit, përmes një deklarate, tha se gjykimi ndaj djalit të saj është mbajtur në Gjykatën Revolucionare, dhe atij nuk i është lejuar që të ketë prezent një avokat. Në deklaratë po ashtu u shtua se 36-vjeçari, konsulent bankar, ishte “një udhëtar pasionant” dhe është i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Këto akuza që janë bërë kundër atij, veçmas për propagandë dhe minim të sigurisë së shtetit iranian, janë krejtësisht të pabaza”, tha Sylvie Arnaud në deklaratën e publikuar më 8 nëntor.

As zyrtarët iranianë, apo mediat shtetërore, nuk kanë konfirmuar dënimin e tij.

Arnaud u arrestua më 28 shtator të vitit 2022 pasi kishte udhëtuar përmes Italisë, Greqisë, Turqisë, Gjeorgjisë dhe Armenisë, para se të shkonte në Iran.

Hyrja e tij në Iran përkon me kohën kur Irani ishte mbërthyer nga protesta mbarëkombëtare përmes së cilave kërkoheshin kushte më të mira të jetesës dhe më shumë liri. Familja e Arnaudit tha se ai “ka qëndruar larg” trazirave.

Aktualisht në Iran po mbahen tre shtetas francezë, Cecile Kohler, Jacques Paris dhe një person i tretë i paidentifikuar. Teherani ka tentuar të lidhë këta persona me protestat, duke akuzuar Perëndimin se ka nxitur protestat në Iran.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme franceze, Anne-Claire Legendre, tha se dënimi i Arnaudit është shkelje e të drejtave të tij themelore dhe e cilësoi vendimin si “të papranueshëm”.

Ajo bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij, por edhe të shtetasve të tjerë francezë “që janë arrestuar në mënyrë arbitrare në Iran”.

Dhjetëra persona, që kanë pasaporta të huaja, aktualisht janë të arrestuar në Iran.

Shumë qeveri perëndimore e kanë akuzuar regjimin e Iranit se po i merr pengje shtetasit me shtetësi të dyfishtë dhe ata të huaj me qëllim që t’i përdorë ata për këmbim të të burgosurve apo për të bërë presion gjatë negociatave ndërkombëtare. Irani mohon këto akuza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA