“Gjithçka nisi nga një bisedë me Melonin”/ Rama shpjegon kampet për “Metropolis24”: Mund të arrijmë në 36.000 refugjatë

08/11/2023 23:00

Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë qëndrimin se Shqipëria nuk ka asnjë interes direkt nga marrëveshja e nënshkruar me Italinë për çështjen e emigrantëve.

Në një intervistë të dhënë për gazetarët italianë të emisionit Metropolis24, kreu i qeverisë e mohoi këtë gjë, duke theksuar se e gjithë ndihma vjen pasi Italia i është gjendur pranë Shqipërisë në kohët më të vështira.

Kush ishte interesi i Italisë që të na pranonte ne në momentin kur ne ia mbathnim nga ferri kur ra regjimi komunist. Ku ishte interesi i Italisë që ka qenë një ndihmë e madhe këtu në Shqipëri? Ose kur çoi skuadrën e saj për të shpëtuar jetë kur ndodhi tërmeti i para disa viteve këtu? Për ne, Italia është speciale, nuk ka një interes direkt, nga pikëpamja materiale, nuk përfitojmë asgjë, ne i japim disponibilitetin territorial dhe Italia merret me gjithë procedurat operacionale“, tha Rama.

Ai tha se edhe vende të tjera kanë bërë kërkesa për ngritjen e kampeve në territorin shqiptar, por që nuk janë pranuar.

“Gjatë këtyre viteve ne kemi pasur kërkesa të tilla edhe nga vende të tjera europiane, por kemi thënë gjithmonë jo. Nuk po përmend asnjë, sepse nuk do ishte e drejtë”.

I shndërruar tashmë në njeriun e momentit në Itali, sikurse theksuan dy gazetarët, Rama shpjegoi dhe idenë se përse pranoi që të marrë migrantët.

“E gjithë kjo lindi nga një bisedë me kryeministren Meloni, e cila më pyeti se a mund të bëhet diçka mbi këtë temë. Unë i thashë se për Italinë jemi të gatshëm, edhe pse aftësitë tona nuk janë të mëdha mund t’ua japim një dorë”.

Kreu i qeverisë sqaroi edhe disa detaje nga marrëveshja.

“Të jemi të qartë. Do të jenë 3.000 si fillim. Nëse gjithçka shkon mirë, mund të arrijmë në 36.000 persona. Ne nuk jemi vend i BE-së por ndihemi si në të. Na ndan veç deti. Gjeografia e Bashkimit Europian nuk mund të jetë në kurriz vetëm të Italisë dhe Greqisë, normalisht vendet më të afërta”.

Për median italiane, kryeministri qartësoi se përveç kampit në Gjadër të Lezhës nuk do të ketë një të dytë dhe se do të mbetet për tu vërtetuar nëse koha e qëndrimit të një refugjati do të jetë 28 ditë, aq sa ligji italian parashikon për marrjen ose jo të azilit, apo më e gjatë.

Top Channel