Deputetët socialistë në komisionin e ekonomisë të mbledhur online miratuan sot nenet e para të projektbuxhetit të ardhshëm, ku u morën në konsideratë edhe indikatori i shpenzimeve publike dhe deficiti buxhetor.

Qeveria ka planifikuar që vitin e ardhshëm të ketë një deficit më të lartë në vlerën e 61 miliardë lekëve apo 600 milionë eurove, ndërsa gjysmën e kësaj shume po planifikon t’i marrë hua. Për këtë qëllim një borxh tregtar i huaj apo dalja me një Eurobond të ri po përgatitet.

Sa i takon financimit neto të vitit 2024, në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes është rreth 34.5 miliardë lekë. Për optimizimin e kostos, huamarrja nga partnerët e zhvillimit për mbështetje buxhetore ose për financimin e projekteve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi. Nuk përjashtohet mundësia gjithashtu e avancimit gjatë vitit 2024 të daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare, e cila është parashikuar të realizohet në vitin 2025, kjo për arsye të minimizimit të riskut të rifinancimit të vitit 2025″, tha ministri i Financave, Ervin Mete.

Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të paguajë rreth 600 milionë euro për interesa borxhi dhe ta ulë borxhin publik për herë të parë në 11 vite poshtë nivelit 60%. Ministri i Financave shpjegoi përpara deputetëve pse është i rëndësishëm të arrihet ky objektiv.

“Ulja e borxhit publik nën 60% mundëson që ne të certifikohemi nga institucione si FMN, si ekonomi me baza fondamentale të forta e si rrjedhim kur të dalim për hua në tregjet ndërkombëtare kostoja e tyre të jetë më e lirë. Gjithashtu si të gjitha vendet në zhvillim edhe ne kemi synim që të rrisim të ardhurat buxhetore për të mbuluar shpenzimet dhe të ulim varësinë nga borxhi”, shtoi Mete.

Ulja e borxhit publik bëhet edhe më e rëndësishme në kushtet kur kosto mesatare e saj pritet të rritet në nivelin 4.2% të PBB-së vitin e ardhshëm, niveli më i lartë në tre vite, si shkak i rritjes së normave të interesit në tregun e brendshëm dhe të huaj. Vendi emetoi një Eurobond 600 milionë euro në qershorin e këtij viti me interes 5.9% dhe afat maturimi pesë vite. Kjo metodë financimi parapëlqehet nga qeveria pasi nuk ka kushte në përdorimin e tij, si dhe certifikon besimin e investitorëve të huaj në financat publike shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA