Pasagjerët në bordin e kroçerës japoneze “Barka e Paqes” dhe të tjerë në tokë që u bashkuan me ta, ishin mbledhur sot në Port Said të Egjiptit për të treguar solidaritet me popullin palestinez në Rripin e Gazës fqinje ku vijon gjakderdhja.
Turistët japonezë të kroçerës zbritën në port me parulla kundër luftës, duke kërkuar sensibilizim për vdekjet dhe ndalimin e bombardimeve.
Drejtuesja e stafit të kroçerës Anna Gotten tha se ndalesa e mjetit ishte një mesazh për të ndaluar atë që po ndodh atje.
“Barka e Paqes përpiqet të tregojë se ajo që po ndodh aktualisht në Gaza është kundër ligjit ndërkombëtar, prandaj duam që të shpërndajmë mesazhin se jemi me njerëzit e prekur nga tragjedia, veçanërisht me fëmijët”, tha ajo.
Zhvillimi vjen teksa bombardimet izraelite vijojnë mbi zonat e banuara, duke detyruar mijëra njerëz të largoheshin drejt jugut të Gazës në këmbë.
Shumë prej të larguarve shiheshin në pamje pa bagazhe me vete por vetëm me ato që mbanin veshur.
Ushtria izraelite në veri ka urdhëruar banorët palestinezë të largohet drejt jugut, teksa thotë se sulmon militantët e Hamas.
Më shumë se 1 milionë njerëz besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë, teksa Izraeli vijon me intensitet sulmet ajrore e tokësore, sipas vëzhguesve të OKB.
Agjencia e refugjatëve të OKB në vend tha se sot 15,000 njerëz ishin numëruar të largoheshin, në krahasim me 5,000 dje dhe 2,000 të dielën.
Top Channel