Mundësi të reja punësimi dhe arsimimi profesional do të ofrojë Shqipëria për të gjithë azilantët shqiptarë të kthyer nga vendet e Bashkimit Europian, me qëllim riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim një projektvendim për një strategji kombëtare të emigracionit përmes së cilës synohet nxitja e migrimit të rregullt nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.
Fokus i zbatimit të strategjisë do të jetë nxitja për kthimin vullnetar dhe riintegrimin e të larguarve drejt vendeve të BE-së. Të kthyerve nga emigracioni do t’ju vlerësohen nevojat dhe vështirësitë që ata hasin me qëllim adresimin e tyre në mënyrë efektive.
Fillimisht parashikohen ndërhyrje nëpërmjet fushatave informuese për emigrantët shqiptarë mbi mundësitë e tregut të punës në Shqipëri, si dhe publikimin e adresave të sporteleve të migracionit në zyrat e punës dhe në bashki, ku ata mund të drejtohen për të marrë këto shërbime.
Strategjia synon parandalimin e migracionit të parregullt nga shtetasit e huaj në Shqipëri. Rritja e numrit të huajve që hyjnë dhe qëndrojnë në Shqipëri për motive të ndryshme ka sjellë nevojën që institucionet përgjegjëse të bashkëpunojnë më ngushtësisht me qëllim vlerësimin e politikave apo programeve dhe të kuadrit institucional mbi aksesin në shërbimet për imigrantët.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e strategjisë kombëtare për një periudhën e parë 3-vjeçare është rreth 6,6 milionë euro.
Top Channel