Protesta e dytë e thirrur nga njësitë elitare të Policisë së Kosovës u pezullua, pasi atyre iu premtua një takim me kryeministrin, Albin Kurti për të filluar dialogun.
Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive nuk dolën në protestën e paralajmëruar ditë më parë, që qëllim kishte insistimin për kërkesën për ndryshimin e propozimit për shtesën për rrezikshmërinë.
“Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do t’i presë në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, Kurti u shpreh sot për mediat se po tentojnë që rrezikshmërinë për Policinë ta ulin me investimin në mjete të moderuara për Policinë me parë.
“Unë do t’i takoj, do t’i kontaktoj dhe do të shohim se çfarë më tutje, por ta keni parasyshë që unë e kam dhënë qëndrimin dhe ka edhe shtesa jashtë orarit, ka edhe shtesa për rrezikshmëri, do të ketë investime të vazhdueshme në Policinë tonë, e po e përmbylli duke e potencuar që rrezikshmëria zvogëlohet para se gjithash e mbi të gjitha me mjete e pajisje më moderne me parë, se sa me shtesa përkatëse për rrezikshmërinë”.
Ne ndërkohë, sipas burimeve të televizionit, protestës së paralajmëruar për në orën 12:00 të së martës, ishte planifikuar të ju bashkoheshin edhe pjesëtarë të shumtë të njësive tjera, përfshi edhe atë të anti-terrorit.
Pjesë e takimit mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Kryeministrit, Albin Kurti pritet të jetë edhe Sindikata.
Top Channel