Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka shqyrtuar sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024” të Ministrisë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në komision u prezantua Paketa e Mbrojtjes Sociale 2024, e cila parashikon skemën për mbështetjen e 161,000 personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.
Po ashtu, përfitues nga skema do të jenë edhe 64 mijë familje ose individë me probleme ekonomike.
Gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin e Shëndetësisë, ministrja Albana Koçu deklaroi se për skemën e Ndihmës Ekonomike, qeveria parashikon vendosjen në dispozicion të një fondi prej 7,132 miliardë lekë.
Këto familje mbështeten me subvencione për kompensimet e energjisë elektrike dhe lehtësira të tjera si: libra shkollor falas, çerdhe e kopshte falas, banesa sociale, bursa për fëmijët që arsimohen.
Mbi 8,000 gra kryefamiljare me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale. Parashikohet rreth 1.2 miliardë lekë për dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve politikë për vitin 2024. Bonusi i bebes është një tjetër politikë demografike e suksesshme e qeverisë, e cila do të mbshtetet përmes një fondi 2.2 miliardë lekë.
Top Channel