Tensione mes deputetëve të përjashtuar dhe Gardës! Nuk u lejuan në Kuvend, kapërcyen kangjellat dhe hynë nga dritarja e Kryesisë

06/11/2023 10:30

Tensione me deputetëve të përjashtuar të opozitës dhe Gardës së Republikës.

Tetë deputetë opozitarë nuk janë lejuar të hyjnë në kryesinë e Kuvendit për shkak të përjashtimit nga sekretariati i etikës. Top Channel mëson se deputetët e drejtuar në Kryesi për të marrë pjesë në një mbledhje të thirrur nga Gazment Bardhi në orën 10:15, janë ndaluar nga Garda e Republikës.

Punonjës të shumtë të Gardës së Republikës ndodhen në vendngjarje, pasi kanë marrë urdhër të mos lejojnë deputetët të hyjnë në Kryesi, ndërkohë që po zhvillon mbledhjen online Komisioni i Ekonomisë ku po diskutohet Projektbuxheti i vitit 2024.

Deputetët qëndrojnë jashtë Kryesisë së Kuvendit, pas kangjellave, në përpjekje për të hyrë. Ndërkaq, Flamur Noka ka kapërcyer kangjellat dhe ka hyrë në oborrin e Kuvendit. Pak më vonë deputetët Nallbati, Noka, Salianji dhe Korreshi kanë hyrë nga dritarja e Kryesisë brenda mjediseve të Kuvendit.

Salianji i ka bërë thirrje Gardës të tërhiqet duke u shprehur: “Çfarë jeni ju, gangsterë?”

Për gazetarët, deputeti Ervin Salianji u shpreh se Kryesia e Kuvendit është rrethuar me autoblinda dhe me 300 gardistë, për t’i penguar deputetët e opozitës që të futen në mbledhje.

Këtu të vetmit njerëz që po tentojnë ta mbajnë me dhunë fizike dhe psikologjike është banda, janë deputetët e PS, Rama. Shikoni sjelljen brutale, e paimagjinueshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të vendosen më shumë sesa 300 gardistë dhe rrethim me autoblind për të ndaluar fjalën. Kërkohet të izolohet edhe fjala. Ndaj japin urdhra të paligjshme, sot kanë dhënë urdhër për t’i ndaluar fizikisht, nesër mund të japin urdhër t’i eliminuar fizikisht… Ne nuk jemi këtu për të bërë luftë muskujsh. Por në momentin kur ka kërkesë llogarie ndaj qeverisë, ndodh kjo që ju shihni sot. Ajo që patë ditën e enjte kur kalonin ligjet. Betejën në publik se ku qëndron e drejta, opozita e ka fituar. Kjo nuk është betejë e lehtë, por vetëm fillimi”, tha ai.

Ndërkaq, thirrje ka pasur edhe nga deputeti Dashnor Sula i cili u shpreh: “Hapeni derën se latë nam, u larguan të përjashtuarit.”

Për mediet, Gazment Bardhi ka deklaruar se aksioni opozitar sot ia arriti qëllimit për të treguar fytyrën e kryeministrit Rama.

Sipas Bardhit, përjashtimi i tyre nga jeta parlamentare nuk i lejon ata të marrin pjesë në Komisionet parlamentare apo seancat parlamentare, por jo të vijojnë takimet në Kryesinë e Kuvendit. Deputetët kanë zyrat e tyre aty, tha Bardhi.

“Tu tregojmë të gjithë shqiptarëve se çfarë është në gjendje të bëjë Edi Rama. Kaq shumë gardistë të Gardës së Republikës nuk ju çohen krimit dhe bandave, i nxirren deputetëve të opozitës. Ne nuk kemi ndonjë betejë me Gardën e Republikës por kjo është fytyra e tyre. Mos mi ktheni mua kamerat, kthejuani atyre. Sot janë tërësisht në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Si ata që kanë zyrë në kryesinë e Kuvendit, edhe unë kam si kryetar i grupit opozitar kam zyra në Kryesinë e Kuvendit”, tha Bardhi.

Flamur Noka tha se kjo situatë është e turpshme, e pa parë ndonjëherë: Po kërkojmë mbi çfarë urdhri nuk lejohet të hyjmë në zyrën tonë. Na kanë shpallur armiq dhe na ndalojnë të shkojmë dhe në punë. S’kemi asnjë përgjigje vetëm heshtje, 100 gardistë janë tek dhoma e Lindës. Sot është themeluar Republika e Gardës që e mbron nga armiqtë opozitarë, ku është parë kjo, kjo është e turpshme, dhunë, terror. Banda përsëri është tmerruar, mbyllen në bunker. Dera mbyllet në hekura, sikur kanë ardhur gjithë mafia, këta janë bandë, ku është parë kjo?!

Ndërkaq Berisha u ka folur gazetarëve nga dritarja e Kryesisë ku më parë kishin hyrë me forcë deputetët e përjashtuar.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel