Këtë të hënë u luajt java e dhjetë e Kategorisë së Parë, ndërsa në disa sfida u dhuruan “show” golash.
AF Elbasani triumfoi me rezultatin 2-4 në transfertën e Luzit. Miqtë zhbllokuan takimin në minutën e 9’ me Leo Melo, Greca dyfishoi avantazhin në minutën e 14’, teksa Hasani shënoi golin e tretë për ekipin e tij në minutën e 17’. Vendasit provuan të reagonin dhe në minutën e 40’ Treni gjeti rrugën drejt rrjetës, teksa në minutën e 49’ Xhika rihapi sfidën. Megjithatë sfida u vulos në minutën e 78’ me Leo Melo që shënoi golin katërt për AF Elbasani.
Pas këtij takimi Luzi renditet në vend të fundit me dy pikë, teksa AF Elbasani renditet në vend të dytë me 22 pikë.
Bylis ngec në barazim pa gola ndaj Besës së Kavajës, megjithatë vazhdon të kryesojë me 26 pikë, teksa miqtë e kësaj sfide renditen në vend të parafundit me nëntë pikë.
Flamurtari fitoi me rezultatin 0-1 në transfertën e Korabit, me golin e vetëm të këtij takimi që u shënua në minutë e 36’ nga Sidibe. Pas javës së dhjetë, Korabi renditet në vend të gjashtë me 11 pikë, teksa Flamurtari në vend të pestë me 18 pikë.
Vora-Lushnja ndajnë pikët, në sfidën që u mbyll me barazimin 2-2. Golat për vendasit u shënuan nga Raboshta në minutën e 45+3’ dhe Pereira në minutën e 86’. Teksa për miqtë shënuan Kasmollari në minutën e 15’ dhe Ayinde në minutën e 73’. Pas kësaj jave Vora renditet në vend të tretë me 19 pikë, teksa Lushnja pozicionohet në vend të shtatë me 11 pikë.
Kastrioti-Apolonia ndahen me barazimin 1-1, me Arapin që shënoi për vendasit në minutën e 3’ dhe Trifoni realizoi për miqtë në minutën e 30’. Pas këtij barazimi Kastrioti renditet në vend të tetë me 10 pikë, ndërsa Apolonia në vend të katërt me 18 pikë.
Tomori-Burreli përfundoi me rezultatin 0-1, me golin e vetëm që u shënua në minutën e 63’ nga Naza. Megjithatë vlen të theksohet se kjo ndeshje solli shumë ankth pasi në minutën e 18’ pas përplasjes me Hysollin, sulmuesi i Burrelit Florenc Farruku ra pa ndjenja në tokë. Është dashur ndërhyrja e menjëhershme e të dyja stafeve mjekësore për të shpëtuar 22-vjeçarin. Pasi është zgjuar, Farruku është dërguar menjëherë me ambulancë në spitalin rajonal të Beratit, ndërsa u shoqërua me duartrokitjet e tifozëve.
Megjithatë edhe pas këtij episodi skuadra e Burrelit ia doli të fitojë dhe pas javës së dhjetë Tomori renditet në vend të dhjetë me 10 pikë, teksa Burreli ngjitet në vend të nëntë po me 10 pikë./Supersport
Top Channel