Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në të gjithë Gazën veriore teksa Izraeli vazhdon bombardimet intensive e thotë se vetëm gjatë ditës së diel, ka goditur 450 “shënjestra”.
Korrespondenti i BBC-së në vendngjarje thotë se sulmet ajrore të mbrëmjes së djeshme ishin më të dhunshmet që nga fillimi i luftës.
E gjithë kjo, pikërisht në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Turqi në vazhdën e turneut të tij diplomatik në rajon me kërkesën për një pauzë në luftime, çka do të mirëpritej sipas tij, nga edhe nga liderët rajonalë. I pandryshuar qëndrimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu që insiston se kërkesa për armëpushim nuk do të merret parasysh derisa të lirohen të gjitha pengjet të kapur nga Hamasi.
Raportohet së fundi se komunikimi me internet dhe telefon është dëmtuar në të gjithë territorin. Ushtria izraelite njoftoi se trupat e saj kanë mbërritur në vijën bregdetare në jug të qytetit të Gazës, duke e ndarë në mënyrë efektive enklavën në dysh.
Një avion jordanez ka arritur ndërkohë të hedhë pajisje mjekësore jetike dhe ushqim në një spital fushor në Rripin e rrethuar të Gazës. Ushtria izraelite pohoi se ishte koordinuar me Jordaninë për këtë lëvizje, duke shpjeguar se pajisjet e dërguara do të përdoren nga stafi mjekësor për pacientët. Është detyra jonë t’u ndihmojmë vëllezërve dhe motrave tona të lënduar në luftën e Gazës.
Ne do të jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë palestinezë”, tha mbreti i Jordanisë, Abdallah II. Izraeli e mban të rrethuar territorin dhe kontrollon gjithë çfarë hynë e del prej andej. Javë më parë u arrit marrëveshje për lejimin e futjes së ndihmave humanitare përmes pikëkalimit të Gazës me Egjipit, Rafah, por në sasi të kufizuara.
Top Channel