Rikthehet edhe njëherë në gjykatë vjedhja e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.
Shkak është bërë Mimoza Bruzia, një ish punonjëse e thesarit që u konsiderua nga drejtësia si bashkëpunëtore në vjedhje e Ardian Bitrajt.
Gruaja që në të gjitha shkallët e gjykatave është vetëdeklaruar e pafajshme e megjithatë mori 10 vjet burg në një gjykim të shkurtuar, akuzon drejtësinë për vendim antikushtetues ndaj saj. Me këtë me këtë argument, Bruzia kërkon shfuqizimin e të gjitha verdikteve që e shpallën fajtore.
Kërkesa e Mimoza Bruzisë do të shqyrtohet në seancë plenare në datën 13 nëntor ku do të vlerësohen vendimet e 20 majit 2015 në të cilin gjykata e Tiranës e dënoi Bruzinë, një vendim që më pas u la në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë.
Bruzia ka kërkuar pafajësi prej 2014 kur u zbulua skandali i vjedhjes së parave, por ajo u pa si bashkëpunëtore e Bitrajt që u dënua me 13 vjet burgim. Ajo rrëfeu se mund të kishte shpërdoruar detyrën por jo të kishte vjedhur, pasi sipas saj sapo kishte vërejtur mungesën e 4 milionë lekëve, kishte vënë në dijeni shefat.
Në atë kohë, në një proces të veçuar, u gjykuan për shpërdorim detyre edhe 10 punonjës të tjerë të bankës, midis tyre edhe ish inspektorja e përgjithshme Elivar Golemi. Kurse ish-guvernatori i bankës Ardian Fullani mori pafajësi dhe për shkarkimin nga detyra ai u dëmshpërblye me rreth 300 mijë euro
Top Channel