Reduktohen investimet publike! 100 mln euro më pak, ekspertët: Zyrtarët kanë frikën e SPAK

05/11/2023 19:32

Në raportin e zbatimit të buxhetit për vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se investimet publike u ulën me 100 milionë euro për 9 ministri nga 12 gjithsej, por shpenzimet për personelin u rritën dyfish në vlerë.

Sipas KLSH, administrata publike, nuk po tregon aftësitë e duhura në programimin dhe zbatimin e investimeve, që janë në nivelin më të ulët në tre vite, ku më të prekurat janë ato me financim të huaj. Ngadalësimi i investimeve u duk dhe në madhësinë e suficitit buxhetor këtë vit që në 9 mujor ishte 216% më i lartë në krahasim me një vit më parë, apo 430 milionë euro më shumë se plani.

Ky ngadalësim në ecurinë e projekteve është pranuar edhe nga ministri i Financave në raportimin e tij në Komisionin e Ekonomisë.

“Unë e ndaj me ju shqetësimin që një sërë njësish zbatuese do duhet të kenë realizim më të mirë të buxhetit”, tha ministri Ervin Mete.

“Dhe drejtues të tyre, në krye të këtyre njësive zbatuese duhet të kenë kriter bazë këtë element, të vlerësimit të punës së tyre. Në qoftë se ky kritetet shkelet një herë, shkelet dy herë, shkelet tre herë, këta drejtues nuk më të rrinë aty”, tha deputeti Erion Braçe.

Sipas ekspertëve një faktor është roli i SPAK me dërgimin e zyrtarëve në burg për korrupsion dhe shumë prej tyre tashmë kanë frikë të nënshkruajnë.

“Nënpunësi publik është i ekspozuar karshi presionit politik, karshi vendimmarrjeve të interesave okulte dhe që në thelb cenojnë interesin publik. Edhe përpjekjet për të përdorur inteligjencën artificiale në procesin e prokurimit nuk janë asgjë tjetër po përpjekjet për të hequr vëmendjen nga problemet skandaloze që ka ky sistem”, tha eksperti Zef Preçi.

Vetëm në tre vjet, SPAK ka regjistruar 24 procedime penale me 25 persona në hetim për çështjet e korrupsionit, ku përfshihen, zyrtarë të lartë, nëpunës publikë por edhe kryetarë të zgjedhur vendorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA