Pasi doli në pension Selfo Qejvani, ish-ushtarak, vendosi të investojë në kultivimin e patates së ëmbël, një kulturë me vlera të larta ushqyese, por që në Shqipëri hyn vetëm nga importi e për pasojë edhe çmimi i saj në treg është shumë i kripur.

“Jam njohur me këtë bimë përmes internetit dhe vendosa ta kultivoj. Fillimisht para 4 vitesh mbolla vetëm dy kubikë dhe rendimenti ishte i mirë. Një vit më vonë mbolla 900 rrënjë, nuk u zhvilluan, defekte teknike që nuk i njihnim. Tashmë kam mbjellë 2 dynym e gjysëm dhe prodhimi është shumë i mirë. Përpiqem të gjej tregun”, tha Qejvani.

Pas 4 vitesh fazë eksperimentale duket se terreni fushor i Peqinit e ka mirëpritur bimën e re dhe prodhimi është i mbarë, ndërsa tregu i varfër pasi shumë të rrallë janë fermerët që e kultivojnë pataten e ëmbël në Shqipëri.

“Terreni e do, toka është e shkrifët dhe zhardhoku i patates merr zhvillim. Patatja e ëmbël vjen vetëm nga importi, mund të jem ndër të vetmit që e kultivoj në Shqipëri. Vlerat e saj janë shumë të mira sidomos për fëmijët e vegjël, zhvillon trurin dhe rrit imunitetin”, shtoi fermeri.

Duke qenë se patatja e ëmbël përdoret kryesisht për fëmijët pasi ndihmon në rritjen e imunitetit dhe zhvillimin e tyre, fermeri ka vendosur të mos përdorë asnjë lloj kimikati duke e kultivuat tërësisht bio.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA