Izraeli refuzon thirrjen e SHBA-së për pauzë humanitare dhe vazhdon sulmet

05/11/2023 10:00

Aeroplanët luftarakë izraelitë kanë goditur kampin e refugjatëve Maghaza në Rripin e Gazës në orët e para të së dielës, duke vrarë të paktën 33 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, kanë thënë autoritetet shëndetësore palestineze.

Sulmi vjen, ndërsa Izraeli është zotuar për vazhdimin e ofensivës dhe shkatërrimin e plotë të grupit militant Hamas, pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për pauzë, që të ndihmohen civilët e dëshpëruar.

Rritja e numrit të viktimave në Gazë ka nxitur zemërim ndërkombëtar, pasi dhjetëra mijëra njerëz, nga Uashingtoni, Berlin deri në Indonezi kanë dalë nëpër rrugë të shtunën, për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm.

Izraeli e ka hedhur poshtë idenë për ndaljen e ofensivës, qoftë edhe për pauza të shkurtra humanitare, të propozuara nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës që është duke zhvilluar në rajon.  Ushtria izraelite këmbëngul për shpërnguljen e civilëve drejt jugut. Të dielën ushtria izraelite njoftoi se do t’i lërë katër orë kohë atyre të largohen. “Çdokush në qytetin e Gazës po rrezikon jetën e tij”, tha ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, ka thënë që më shumë se 9.400 palestinezë janë vrarë në këtë zonë brenda një muaji, dhe numri pritet të rritet me vazhdimin e sulmeve. Shtetet arabe po këmbëngulin për një armëpushim, por sekretari amerikan mbështet idenë e një pauzë humanitare.  “Armëpushimi I jep mundësi Hamasit të rigrupohet dhe të përsërisë ngjarjet e 7 tetorit, ku më shumë se 1400 civilë izraelitë u vranë. Propozimi për pauzë I jep mundësi civilëve të largohen, ndërsa Izraeli të shkatërrojë Hamasin.”

Zyrtarët e Egjiptit kanë thënë se bashkë me Katarin kanë propozuar pauza humanitare për gjashtë deri në 12 orë në ditë, për të lejuar hyrjen e ndihmës në Gazë. Pjesë të mëdha të lagjeve në Gazë tani janë shndërruar në hi, si pasojë e luftimeve. Sipas OKB-së, mbi 1.5 milion njerëz në Gazë, apo 70 për qind e popullsisë, kanë ikur prej shtëpive të tyre. Ushqimi, uji dhe nafta janë të tepër të nevojshme për jetën e njerëzve dhe për mbajtje të spitaleve operacionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA