Vaji i ullirit është kthyer në ‘ar të lëngshëm’ në Greqi dhe prodhuesit e tij ndodhen në panik teksa përballen çdo ditë me dhjetëra vjedhje.
Vjedhja e ullinjve është bërë një problem i madh për prodhuesit në të gjithë Greqinë, ka deklaruar për kanalin publik të vendit Dimitris Goutziouchas, një kultivues ulliri nga Halkidikia, në Greqinë Veriore, ku dy javë më parë u vodh edhe një sasi vaji prej gati 350 tonësh. Por vjedhje të ullinjve deklarohen javët e fundit në të gjithë vendin nga Kreta, në Peloponez e deri në Aleksandrupoli.
“Prodhuesit të gjithë ankohen se kur errësohet, shohin njerëz në ullishtat duke mbledhur ullinj me thasët e tyre, duke u përpjekur t’i vjedhin për të nxjerrë vaj“, u shpreh Dimitris Goutziouchas.
Bashkë me patrullat e policisë që kanë intensifikuar punën e tyre ,disa prodhues po rruajnë vetë edhe ullishtat.
“Ka shumë prodhues që gjetën në ullishtet e tyre thasë të mbushura plot me ullinj gati për ti vjedhur. Shkuan në momentin kur hajdutët po i mblidhnin dhe ata u larguan me vrap“, tha Dimitris Goutziouchas.
Problemi i vjedhjeve të ullinjve është në rritje sidomos këtë vit që prodhimi i tij është shumë i ulët, madje në disa zona si Maqedonia Qendrore dhe njësitë rajonale Pieria, Imathia dhe Pella arrin deri në 70% me pasojë rritjen e çmimit,ndërsa vaji i ullirit është edhe një produkt nga më të kërkuarit për eksport. Tashmë një litër vaj ulliri shitet në supermarkete nga 10-22 euro në varësi të cilësisë.
Konsumatorët e shumtë deklarojnë se tashmë kanë ndryshuar dietën e tyre, duke e ulur konsumin e vajit të ullirit në absolutisht atë më të nevojshmin.
Top Channel