Papa Françesku apeloi sot për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza duke bërë thirrje në emër të Zotit.
Ai kërkoi që të dërgoheshin ndihma humanitare për të plagosurit, për të lehtësuar situatën ekstreme.
“Unë vazhdoj të mendoj për situatën e vështirë në Palestinë dhe Izrael, ku shumë njerëz kanë humbur jetën. Për hir të Zotit, ju lutem ndaloni. Pushoni zjarrin,” tha ai, duke iu drejtuar turmës në Sheshin e “Shën Pjetrit”.
“Shpresoj se do të bëhet gjithçka për të parandaluar përhapjen e konfliktit, që të plagosurit të shpëtohen dhe ndihma të arrijë tek banorët e Gazës, sepse situata humanitare atje është shumë e vështirë”, tha Ati i Shenjtë.
Ai përsëri bëri thirrje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, me fokus fëmijët. Ai tha se ata “duhet të kthehen në familjet e tyre”.
“Le të mendojmë për fëmijët, për të gjithë fëmijët që janë përfshirë në këtë luftë, si dhe ata në Ukrainë dhe në konflikte të tjera, sepse kështu po vritet e ardhmja e tyre”, shtoi ai.
Papa Françesku, 86-vjeç, ka bërë thirrje më parë për krijimin e korridoreve humanitare, duke thënë se për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, është e nevojshme të zbatohet një zgjidhje që përfshin dy shtete, për izraelitët dhe për palestinezët.
Top Channel