Prej disa ditësh tashmë, kreu i SPAK-ut Altin Dumani ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me prokurorë e oficerë të BKH-së, në kuadër trajnimesh e një serie takimesh që bartin në vetvete një mesazh të rëndësishëm: Washingtoni po e ndjek me vëmendje reformën e drejtësisë në vendin tonë.

Një gjë e tillë u lexua qartë edhe në takimin më të fundit që Dumani pati atje me Ndihmës Sekretarin e shtetit Jim O’Brien dhe ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Juri Kim, e cila mban tashmë një post të rëndësishëm në DASH, atë të Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesore për Çështjet Europiane.

Ishte vetë O`Brien ai që përmes një postimi në platformën X ndau momente nga takimi dhe përcolli qëndrimin e qartë të administratës amerikane: “Reforma në drejtësi po jep rezultate reale për popullin shqiptar duke treguar me veprime se askush nuk është mbi ligjin”.

“SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi”, shkruan zyrtari i lartë amerikan, i cili kujdeset të theksojë po ashtu se ajo është thelbësore edhe për të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian. Me hetimet e saj, e akuzat që nuk po kursejnë as figura kyçe të politikës shqiptare, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duket se po kërkon të lëvizë në mënyrë të ngadaltë, por të sigurt drejt objektivit që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiran, shpaloste në 2019-tën, kur tregonte mënyrën sesi do të funksiononte kjo strukturë: Si një institucion që do të godiste paprekshmërinë pa kursyer askënd, përfshirë zyrtarët e lartë të shtetit, por edhe ish-zyrtarët, duke vepruar siç u tha atëherë, në mënyrë ta pavarur dhe i pa ndikuar nga politika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA