Era e fortë dhe reshjet e shiut janë kthyer në qytetin bregdetar të Durrësit duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Shumë kryqëzime rrugësh në lagje të ndryshme të qytetit janë bllokuar nga uji.
Stuhia e motit që preku vendin tonë sot këtë mesditë, ka përfshirë Europën dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në Itali e Francë.
Kjo situatë ka ndikuar dhe trafikun detar. Anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimin deri në përmirësim të motit, ndërsa deti i dallgëzuar nuk paraqet probleme për tragetet dhe anijet e tonazhit të madh deri në këto momente.
Për shkak të motit ka ndërprerje të energjisë dhe në disa zona të qytetit.
Edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës, që sapo ka nisur, po zhvillohet në mungesë të energjisë elektrike, duke vështirësuar dhe dëgjimin në sallë.
Gjendja e tillë do të vazhdojë edhe në orët në vijim, me reshje intensitet të lartë. Stuhia e shiut ka përmbytur rrugët e kryeqytetit, duke krijuar kaos.
Këto reshje do të vijojnë deri të shtunën në mesditë. Më pas, do të ketë një ndërprerje të reshjeve deri të dielën pasdite, kur do të rikthehen reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar.
Top Channel