Para pak ditësh, në Paris u mbajt ceremonia e 67-të e “Topit të Artë” aty ku fitues për herë të tetë u shpall Lionel Messi.
“Topi i Artë” është një organizim i prestigjiozes “France Football” që prej vitit 1956, një trofe që i jepet nëpërmjet votave të gazetarëve, trajnerëve dhe kapitenëve, lojtarit më të talentuar dhe që ka arritjet më të mëdha gjatë një sezoni.
Por, nga viti 2024 pritet të ketë një riorganizim të “Topit të Artë” teksa së bashku me “France Football”, pjesë e organizimit do të jetë edhe UEFA. Me anë të një deklarate, UEFA njoftoi se “France Football” do të mbetet “pronare” e brandit “Topit i Artë” dhe do të përkujdeset për pikët që jepen duke ruajtur kështu pavarësinë e saj.
Por, nga ana tjetër, UEFA do të kontribuojë me eksperiencën e saj futbollistike, si dhe do të kujdeset që të komercializojë të drejtat televizive në nivel global ndërsa do të organizojë edhe eventin e përvitshëm.
Sakaq, eventit do t’i shtohen edhe dy çmime të tjera që kanë të bëjnë me trajnerin dhe trajneren më të mirë të vitit. Ndërkaq, nuk do të lëvizin çmimet e deritanishme si Topi i Artë për meshkuj dhe femra, Trofeu Kopa, Trofeu Yashin, Trofeu Gerd Muller, Skuadra e Viti për meshkuj dhe femra si dhe Trofeu Socrates./ supersport
Top Channel