Në qytetin e Lushnjës është duke u ndërtuar unaza e këtij qyteti, e cila do të mbajë emrin e shkrimtarit dhe ish deputetit Vath Korreshi.
I shoqëruar nga kryebashkia Eriselda Sefa, kryeministri Edi Rama bashkë me drejtuesin politik të qarkut Taulant Balla, shikuan ecurinë e punimeve të kësaj unaze e cila do të lehtësojë trafikun e brendshëm të Lushnjës.
“Jemi në një prej arterieve kryesore të qytetit të Lushnjës me një gjatësi 2.2 kilometra dhe gjerësi 19 metra. Ky është edhe segmenti që ka shtrirjen më të madhe të zonës të biznesit. Është menduar me dy sense kalimi dhe me trotuare në të dyja anët që do të jenë rreth 3 metër”, tha Sefa.
Në Lushnjë, nuk po punohet vetëm në ndërtimin e kësaj unazë.
“Kemi bërë 8 pallate në këtë bllok. Në komunikim me bizneset gjatë të gjithë kohës në këtë segment kërkohet të bëhet edhe unifikimi fasadave si në biznese dhe banesa që janë private. Kemi mbaruar këtë bllok banimi me riveshjen e fasadave. Kemi aplikuar tek fondi zhvillimit edhe për dy blloqe të tjera përgjatë këtij segmenti”.
Kur vjen puna në rikualifikimet urbane si ky në Lushnjë, meraqet e kryeministrit Rama nuk mbarojnë asnjëherë.
“Gurët të vendosen në një formë që të jetë një skulpturë moderne”, u shpreh kryeministri.
Rama vijoi inspektimet më pas në Fier, në rrugën Vllahinë-Poçem, që lidh Fierin dhe Mallakastrën me rrugën e Lumit të Vlorës.
Kryeministri Rama tha se agroturizmi është një perspektivë e rëndësishme për zonën, e cila me rrugën e re do të dalë në dritë, duke u aksesuar lehtësisht. “Duhet vetëm të shtyni më shumë për agroturizmin. Duhet të bëni shumë punë që të nxisni agroturizmin që t’i jepni dhe informacion, dhe kurajë, por edhe ndihmë atyre që kanë prona apo kanë shtëpi këtu që të merren me agroturizëm. Do ketë edhe më shumë turistë vitin tjetër, e më shumë vitin tjetër prandaj u duhet thënë njerëzve sa më shumë, që aty është një perspektivë shumë e mirë sepse bëjnë një investim modest në krahasim me të ardhurat pastaj që vijnë nga turizmi“, u shpreh Rama.
Top Channel