Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti mëngjesin e sotëm në Izraelin me një qëllim të qartë.
Të bëjë presion që më shumë ndihmë humanitare të lejohet të hyjë në Gazën e rrethuar, në kohën kur trupat izraelite kanë ashpërsuar rrethimin e tyre në vazhdën e fushatës që synon shkatërrimin e plotë të grupit militant Hamas, që udhëheq këtë enklavë.
Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael që nga sulmi i Hamasit. Gjatë vizitës së sotme, ai do të qëndrojë në Tel Aviv dhe Aman të Jordanisë. Vizita e kryediplomatit vjen pak pasi në një ndryshim publik të qëndrimit të ndjekur deri tani, presidenti amerikan, Joe Biden, sugjeroi një “pauzë” humanitare të luftimeve.
Qëllimi do të jetë që të lejohet më shumë ndihmë për palestinezët dhe që shtetasit e huaj dhe të plagosurit të lejohet të largohen nga Gaza. Izraeli nuk reagoi ndaj komenteve të Bidenit, por deri tani kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit dhe të mërkurën, tha se “ne po avancojmë… asgjë nuk do të na ndalë”, përderisa u zotua se do të shkatërrojë Hamasin.
SHBA-ja është zotuar për mbështetje të palëkundur për Izraelin pasi militantët e Hamasit vranë mijëra persona më 7 tetor dhe morën afër 240 pengje. Edhe para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”, ndonëse në të njëjtën kohë SHBA ka kërkuar që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.
Top Channel