Betejë masive ligjore kundër ligjeve që mbrojnë kompanitë e pesticideve në SHBA (fotot)

03/11/2023 18:14

Megjithë gjykatat vendosin kundër prodhuesve të herbicideve kancerogjene, masat e propozuara nga industria limitojnë paditjet dhe kufizimin e përdorimit lokal të substancave.

Shumë pacientë kanceri kanë celebruar fitoret ligjore në tre shtete të SHBA ku kompania  Bayer dhe Monsanto është urdhëruar të paguajë më shumë se $500 milionë dëmshpërblim për neglizhencë ndaj shëndetit të përdoruesve të kimikatit të tyre herbicid ‘Roundup’.

Por fitoret e konsumatorëve janë shoqëruar me një legjislacion të mbështetur nga grupi Bayer që kufizon paditë ndaj industrisë bujqësore në të ardhmen.

I njohur si ‘Ligji i Etiketimit Uniform të Produkteve të Bujqësisë’, ai jep mbrojtje të gjerë për kompanitë dhe pesticidet e tyre nga qeveritë lokale, duke bllokuar pretendimet ligjore që kanë goditur Bayer dhe prodhuesin e saj kryesor amerikan Monstanto.

Më shumë se 360 organizata bujqësore kanë kundërshtuar masën e propozuar nga kongresmenët Dusty Johnson e Jim Costa, teksa të dhënat tregojnë se Bayer dhe grupi lobues i industrisë CropLife America, e kanë bërë prioritet kalimin e masës.

Ata argumentojnë se herbicidet që kanë rezultuar kancerogjene “janë thelbësore për ushqimin tonë dhe mbrojtjen e komuniteteve”, sipas CropLife.

Por më 27 tetor më shumë se 150 kongresmenë amerikanë nënshkruan një letër për komisionin e bujqësisë së Kongresit ku shprehnin “opozicion të fortë” ndaj masave parandaluese që mbrojnë pesticidet.

Ligjet lokale kërkojnë që ato të mos përdoren pranë shkollave, parqeve dhe kopshteve, dhe kërkohet mbrojtja prej tyre e rezervave të ujit dhe e botës së egër.

Letra e kongresmenëve parashikon se “kufizimi përgjegjësisë ndaj prodhuesve të këtyre substancave ndalon informimin e klientëve për rrezikun e lartë të pesticideve”.

Bayer është nën presion për paditë në disa gjykata për shkelje të ligjit Federal të Insecticideve, Fungicideve dhe Rodenticideve (vrasëse të brejtësve), ku akuzohet se ajo dhe Monsanto nuk kanë paralajmëruar për rrezikun e kancerit nga produktet e tyre.

Mes përballjeve legjislative është ajo e ankimuesit Larry Gainey, 65-vjeçar kopshtar nga Karolina që kishte përdorur prej vitesh herbicidet e Monsanto dhe u diagnostikua me kancer në 2011. “Tani vijoj të marr terapi dhe nuk mund të punoj më”, ka thënë ai.

“Unë mendoja se mund të shkosh në dyqan dhe të blesh një produkt të kontrolluar për përdorim, por përfundon me këtë sëmundje të rëndë dhe nuk ke drejtë as të kërkosh dëmshpërblim. Kjo nuk është e drejtë”, tha ai./The Guardian/

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA