Për shkak të infertilitetit në rritje, shumë çifte nuk arrijnë të mund të kenë një fëmijë.
Përveç mundësive që ofron shkenca sot ka dhe një alternativë të fundit dhe shifrat tregojnë se janë thyer tabutë e mentaliteti i vjetër për të birësuar një krijesë të pafajshme që është braktisur.
“Numri i kërkesave për birësim është në rritje dhe numri i fëmijëve që kemi të disponueshëm për birësim është në rënie. Kemi një numër gjithmonë e më të pakët lindjesh por edhe nga një ndërgjegjësim i shoqërisë shqiptare që gjithmonë e më pak kemi fëmijë të braktisur”, tha Alma Sulstarova – Kryetare e Komitetit të Birësimit.
Janë 135 kërkesa për birësim por më shumë kërkesa ka nga jashtë territorit shqiptar ndonëse e kanë më të vështirë pasi prioritet kanë kërkesat e vendasve.
“Për shqiptarët rezidentë janë 35 kërkesa. Kemi një numër në rritje ama të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ky është një problem sepse Komiteti i Shqiptar i Birësimit është në funksion të birësimit për rezidentët shqiptarë ndërsa emigrantët tanë janë të detyruar të kontaktojnë agjencitë e birësimit në shtetet ku jetojnë. Kemi 100 kërkesa nga jashtë Shqipërisë edhe shqiptarë dhe të huaj”, u shpreh ajo.
Çiftet shqiptare janë selektivë në birësimin e një fëmije ndërsa nuk ndodh kjo me të huajt.
“Arsyeja për shqiptarët është e kuptueshme që ata dëshirojnë të birësojnë nga Shqipëria por e çuditshme është që edhe vetë italianë ose grekë ose francezë janë jashtëzakonisht të interesuar për të birësuar fëmijë nga Shqipëria. Janë shumë më të hapur se ne, madje birësojnë edhe duke patur vetë fëmijë biologjikë. Gjithmonë fëmijët që refuzohen e kanë një problem dhe të huajt janë shumë të gatshëm të birësojnë edhe me ndonjë problem shëndetësor ose përkatësi të ndonjë komuniteti tjetër”, u shpreh Alma Sulstarova – Kryetare e Komitetit të Birësimit.
Top Channel