Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar gjykim për kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla. 

Memolla akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, në zgjedhjet e 6 marsit të vitit të kaluar.

Gjithashtu SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim edhe tre të pandehur të tjerë, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani të akuzuar “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe Isuf Tosku, i akuzuar për falsifikim të dokumentave, kryer në bashkëpunim.

Kryebashkiakut i është komunikuar akuza pak ditë më parë. Memolla u mor në pyetje në lidhje me akuzat e ngritura. Sipas SPAK-ut Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Njoftimi i SPAK

Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është  provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA