Rikthimi i kujtimeve të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës për Tetyana Kosheva nisi me zhurmën e shpërthimeve dhe sirenave për sulme ajrore, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Ashkelon, qytetin izraelit ku ajo u zhvendos në korrik të vitit 2022, për t’i ikur bombardimeve të vazhdueshme ruse në qytetin e saj, Harkiv, në lindje të Ukrainës.
Ashkelon, që gjendet shtatë kilometra në veri të Rripit të Gazës, ishte cak i sulmeve masive të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Pas sulmeve, së bashku me tre fëmijët e saj, Kosheva fillimisht u strehua në Ashkelon në korridorin e ndërtesës ku banonte. Ajo tha se lexoi në telefon se “terroristët kishin hyrë në qytet dhe po qëllonin banorët”. Familja më pas u zhvendos në një strehimore kundër bombardimeve, para se një ditë më vonë vullnetarët t’i dërgonin ata me makinë një orë drejt veriut, në një banesë të zbrazët në afërsi të Tel Avivit.
“Është sikur deja vu. Unë veçse e kam parë këtë, veçse kam përjetuar diçka të tillë”, tha Kosheva.
“Unë jam strehuar në bodrum në qytetin tim”, tha ajo duke iu referuar qytetit të Harkivit. “Edhe atëherë kam kërkuar për një makinë, ndihmën e vullnetarëve për t’u larguar. Dhe sërish është e njëjta gjë. Sërish, fëmijët. Sërish duhet që t’i mbledh të gjitha çantat për 30 minuta. E gjitha po përsëritet”.
Ukrainasit që janë larguar në Izrael pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit të tyre në shkurt të vitit 2022, tani po tentojnë të përshtaten në një luftë tjetër. Disa janë larguar nga shteti, duke u zhvendosur dy herë brenda 20 muajsh, ndërsa të tjerët nuk janë larguar nga Izraeli. Në qytetin verior izraelit, Haifa u zhvendos Kateryna Senchenko me origjinë nga Kievi, pasi u largua nga Ukraina për shkak të luftës. Ajo më 7 tetor u fsheh në një strehimore.
“Gjithçka të kujton Ukrainën kur nisi lufta në shkallë të gjerë”, tha ajo, duke përmendur programet e pandërprera televizive që citojnë ekspertët, zëdhënësit e Qeverisë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sa mund të durojmë? Çfarë nuk është në rregull me këtë botë? Pse brenda dy vjetëve të jetës sime unë po përjetoj nisjen e një lufte për herë të dytë?”, pyeti ajo.
Tetëmbëdhjetë shtetas ukrainas në Izrael u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor dhe një vazhdon të jetë i zhdukur, sipas Ambasadës ukrainase. Është e paqartë se sa refugjatë të luftës në Ukrainë gjenden në Izrael.
Afër 15.000 shtetas ukrainas janë regjistruar në Ambasadën ukrainase, por ambasadori ukrainas, Yevhen Korniychuk, tha se kjo shifër “nuk nënkupton asgjë”, pasi reflekton vetëm numrin e personave që kanë zgjedhur të regjistrohen në Ambasadë. Po ashtu, aty mund të përfshihen edhe ukrainasit që kanë shkuar në Izrael dhe shkuarja e tyre nuk lidhet me agresionin rus kundër Ukrainës.
“Në përgjithësi, numri i qytetarëve tanë [në Izrael] është një çmenduri”, tha Korniychuk. Ai vlerësoi se “afër gjysmë milion” nga komuniteti rusisht-folës në Izrael janë nga Ukraina.
Ambasada nuk ka shumë fonde dhe është e kufizuar në atë që mund të bëjë për të asistuar me evakuime, tha Korniychuk, duke shtuar se ky institucion nuk do të organizojë fluturime për në Ukrainë për shtetasit ukrainas.
“Ne nuk kemi asnjë vend në Ukrainë që të evakuojmë njerëzit”, tha ai. “Ne nuk do të transportojnë njerëzit nga një luftë në një luftë tjetër. Qëllimi ynë kryesor është që të largojmë sa më shumë njerëz në një periudhë të shkurtër kohore”.
Deri më 22 tetor, katër avionë me ukrainas u larguan nga Izraeli për në Rumani, duke transportuar në total 515 pasagjerë ukrainas, tha Ambasada ukrainase. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme rumune gjatë një përgjigjeje për Shërbimin Rumun të Radios Evropa e Lirë mohoi një pretendim të postuar në rrjetet sociale se Qeveria rumune ka paguar për këto fluturime.
Ambasada ukrainase tha se ka negociuar për çmime më të lira për ukrainasit që janë evakuuar përmes fluturimeve komerciale. Çmimi i këtyre fluturimeve sillet nga 415 deri në 450 euro për person, dhe sipas Ambasadës ukrainase ky “është çmimi më i lirë në treg” për një biletë avioni. Korniychuk tha se ai ka gjetur sponsor në Izrael që mund të zgjidhin “një pjesë të madhe të problemeve” të Ambasadës sa i përket evakuimeve, duke iu referuar “opsioneve financiare” për personat që nuk kanë mundësi të blejnë vetë biletë avioni për t’u larguar nga Izraeli.
Oksana Sokolovska, është një prej shtetasve ukrainas që është evakuuar. Ajo së bashku me tre fëmijët e saj fluturoi drejt Rumanisë në fluturimin e parë, më 14 tetor. Ajo tha se një biletë avioni ka kushtuar 415 euro dhe ka qëndruar pa para në një hotel rumun për dy ditë. Por, ajo duhet të blejë vetë bileta të trenit dhe autobusit për t’u kthyer në Ukrainë. Këto vështirësi, megjithatë, duket se nuk kanë zbehur interesin për t’u larguar nga Izraeli.
“Çdo ditë, përderisa ritmi i luftës intensifikohet, ka gjithnjë e më shumë njerëz që duan të largohen dhe gjithnjë e më pak mundësi”, tha Sokolovska.
Një koordinator në Qendrën për Ndihmë të Refugjatëve në Haifa – organizatë joqeveritare që ofron ndihmë për 1.650 familje ukrainase, bjelloruse dhe ruse – tha se lufta Izrael-Hamas ka përkeqësuar jetën e refugjatëve ukrainas. Qeveria izraelite njoftoi në gusht se do të ndajë 246 milionë dollarë për të mbuluar shpenzimet për kujdes shëndetësor dhe mirëqenie për 83.000 refugjatë ukrainas deri në fund të vitit 2023, raportoi agjencia izraelite e lajmeve, Ynet.
Por, lufta e re mund të bëjë që këto fonde të ridrejtohen.
“Në disa qytete të vogla, refugjatët mund të mbesin pa asgjë”, tha Tetyana Mykhaylenko, një prej 15 koordinatorëve në këtë qendër. “Tani, të gjitha përpjekjet janë që paratë të shkojnë për ushtrinë dhe banorët në jug të Izraelit të cilët kanë humbur gjithçka”.
Sipas, Mykhaylenkos, refugjatët ukrainas nisën të shkonin në Qendrën për Ndihmë të Refugjatëve, disa ditë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Mykhaylenko, me origjinë nga Harkivi që ka migruar në Izrael më 2019, tha se beson që jo të gjithë ukrainasit që frekuentojnë Qendrën për Ndihmë të Refugjatëve, planifikojnë të largohen nga Izraeli.
“Ne e kuptojmë se lufta në Ukrainë do të përfundojë, por ne nuk e dimë se kush nga këta persona do të kthehet atje”, tha ajo. “Këta persona nuk kanë se ku të kthehen në Ukrainë, prandaj ne duam që t’ua bëjmë një vend ku mund të shkojnë”.
Qendra gjendet në një ndërtesë dykatëshe dhe ofron ushqime, rroba dhe disa kurse. Kjo qendër bashkëpunon me Ambasadën ukrainase dhe tenton të sigurohet që ukrainasit të adaptohen në Izrael.
“Nuk duam që qendra të jetë vetëm për të ofruar ushqim dhe rroba”, tha Mykhaylenko.
Mbi 700 vullnetarë paketojnë donacionet ushqimore, ndërkaq 20 vullnetarë të tjerë i dërgojnë ato te familjet apo dërgojnë të moshuarit për vizita mjekësore. Vullnetarët që flasin gjuhën hebreje ndihmojnë në përkthim dhe ndihmojnë në gjetjen e vendeve të punës apo strehimit për refugjatët. Ndërkaq, avokatët ofrojnë konsultime falas.
Ndihma për pothuajse 260 ukrainas në Gazë mund të jetë më e vështirë. Ky territor është shkatërruar nga sulmet e vazhdueshme ajrore izraelite dhe banorët në Gazë po përballem me mungesë të furnizimeve me ushqim, ujë dhe ilaçe. Një ukrainas ka vdekur në Gazë si rezultat i luftimeve dhe të paktën një tjetër është plagosur, sipas Ambasadës ukrainase në Izrael. Shumica e ukrainasve në Gazë janë gra që janë martuar me burra palestinezë dhe jetojnë atje për vite të tëra së bashku me fëmijët, të cilët potencialisht mund të evakuohen bashkë me nënat e tyre, tha ambasadori ukrainas në Egjipt, Mykola Nahorniy.
Duke pasur parasysh standardin e ulët të jetesës në Gazë, Ukraina “me gjasë” duhet të financojë fluturimet për të evakuuarit nga Gaza përmes Egjiptit në një shtet që gjendet në kufi me Ukrainën – në Moldavi, Rumani apo Poloni – tha ambasadori. Po ashtu, do të duhet të paguajë një pjesë të transportit për këta persona të cilët do të kalojnë përmes Egjiptit dhe më pas do të transportohen me avionë, tha ai. /REL
Top Channel