“Ne jemi në kulmin e betejës dhe kemi pasur suksese mbresëlënëse. Tashmë kemi kaluar periferi të qytetit të Gazës, po përparojmë”, kështu deklaroi kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu pas 27 ditësh sulme të vazhdueshme në territoret e kontrolluara nga militantët e Hamasit.
Lideri izraelit vijon të përditësojë sukseset që ushtria e vendit të tij ka bërë prej disa javësh, ku në shënjestër kanë qenë vendet ku pretendohet se janë strehuar militantët.
“Asgjë nuk do të na ndalojë, do të ecim përpara. Ne do të avancojmë dhe do fitojmë, këtë do e bëjmë me ndihmën e Zotit e luftëtarëve tanë heroikë”, shkroi Netanyaho në një postim në “X”.
Sipas ekspertëve territoret me popullsi më të lartë në Rripin e Gazës shihen si një sfidë shumë më e madhe për ushtrinë sesa zonat rurale. Forcat e mbrojtjes izraelite besohet se do të qëndrojnë në pritë, ndërsa Hamasi pritet të ketë përgatitur pozicione snajperi dhe antitank.
Ushtria e Izraelit do të duhet të përballet me një rrjet të gjerë tunelesh nëntokësore, të cilat militantët e Hamasit i kanë përdorur për të nisur sulme të befasishme kundër kundërshtarëve.
Top Channel