Piktorë dhe skulptorë durrsakë janë bërë bashkë në çeljen e ekspozitës kolektive “Nëntori ynë” në galerinë e arteve pamore të qytetit, duke kthyer një traditë të hershme artistike në Durrës.
“Kjo ekspozitë që u hap këtu ka 37 autorë me 90 punime. Është një ekspozitë e bukur, e këndshme. Sigurisht ka nivele të ndryshme, po kjo përgjigje e artistëve tregon sa të etur janë ata për t’u ekspozuar në qytetin e tyre“, u shpreh skulptori dhe kuratori i ekspozitës, Idriz Balani.
Një larmi punimesh, ngjyrash dhe teknikash që solli para artdashësve të shumtë krijimtarinë e artistëve durrsakë gjatë viteve të fundit. Pjesë e ekspozitës janë dhe artistë të mirënjohur, si Skënder Kokobobo, Nelo Llukaçi dhe Agim Faja, të cilët kanë një kontribut të shquar në zhvillimin e Arteve Figurative, duke u kthyer në shembuj frymëzimi dhe mësues për shumë breza.
“E kam dëshiruar shumë këtë ditë dhe e kam propozuar vazhdimisht që të bëhet një ekspozitë kolektive, sepse sillen punët, shihen vlerat e njërit-tjetrit dhe miqësohen më shumë artistët pasi nuk ekziston më. Ekspozita kolektive këtë interes ka dhe është më e ndjeshme se ajo personale. Njerëzit mund të bëjnë krahasime, vlerësojnë dhe rrisin kulturën figurative“, u shpreh skulptori Nelo Llukaçi.
Kjo ekspozitë që vjen në 55-vjetorin e çeljes së Galerisë së Arteve Pamore në Durrës, u shndërrua dhe në një zë proteste të artistëve për gjendjen e mjerueshme të saj.
“Ekspozitë protestë lidhur me sallën dhe galerinë e artit që në qytetin e Durrësit mungon. Durrësi më 17 Janar 1968 ka inaguruar Galerinë e parë, pas Galerisë Kombëtare me një fond prej 100 veprash, me iniciativën e Vangjel Toçit e Sabri Tuçit dhe sot jemi pa Galeri. Kjo është një sallë shumë e keqe ekspozimi për kushtet që paraqet. Ne duam që ajo të marrë formën që i takon dhe të mendohet për një galeri arti“, rrëfeu Balani.
Top Channel