Garda e Republikës reagon pas akuzave të opozitës: Asnjë prej punonjësve nuk kishte armë brenda Kuvendit

02/11/2023 14:53

Garda e Republikës ka reaguar pas akuzave të demokratëve se gardistët ishin të armatosur brenda Kuvendit, gjatë seancës së sotme plenare.

Ky pretendim është i pavërtetë, shkruan Garda, në një reagim për mediat.

“Lidhur me pretendimin e disa deputetëve të opozitës, se punonjës të Gardës në seancën parlamentare kanë qenë me armë në sallë, Garda e Republikës sqaron se:

Ky pretendim është tërësisht i pa vërtetë. Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet. Garda e Republikës mbetet e vendosur të ushtrojë gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e ngarkuara, në funksion të garantimit të ligjit”.

Pas seancës të shoqëruar me incidente në parlament, ish-kryeministri Sali Berisha, tha se personi që u përplas me Ervin Salianjin, ishte me armë.

“Personi i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin, ai kishte armë, personi kishte armë. Kjo është e vërteta, e saktësuam. Asnjë lloj stepje, e vërteta është se mbledhja e deputetëve në unanimitet shprehet të vazhdojë pa kthim këtë beteje”, u shpreh Berisha për gazetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA