Të thirrur nga prokurori i posaçëm për t’u marrë në pyetje Rakip Suli, kryebashkiaku i Kamzës dhe kryetari i këshillit bashkiak, Hysen Koldashi nuk u paraqitën në SPAK.
Ndonëse njërit i ishte dërguar ftesa përmes policisë për në orën 10 dhe tjetrit për në 12, të dy munguan.
Kryetari i bashkisë Kamëz tha në telefon për Top Channel se ftesa e mesdrekës i ka mbërritur 30 minuta me vonesë pra në 12:30 . Policia e Kamzës nga ana tjetër argumenton se ftesa për t’ja përcjellë kryebashkiakut i mbërriti mbrëmjen e të martës dhe se e dorëzoi pranë subjektit në orën 11:45 të kësaj të mërkure.
Se kush tregon të vërtetën prej të dyja palëve në vijim do ta zbulojnë shkresat. Ndërkohë SPAK konfirmon se mbas mungesës së dy zyrtarëve, ripërsëriti kërkesën dhe njoftoi Rakip Sulin se duhet paraqitet në 6 nëntor ora 11:00. Ky i fundit këmbëngul për TCh se nuk po i shmanget hetimit dhe se do ti bindet akuzës e cila në këtë rast nuk e njoftoi me postë, por përmes policisë. Hetimet në bashkinë e Kamzës po kryhen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për dy episode, shkelje e barazisë në tendera për pastrimin dhe fondet e tërmetit.
Aktualisht hetime po kryhen dhe tre bashki të tjera, të Vlorës, Rrogozhinës dhe Himarës. I Rrogozhinës ka dhe një akuzë tjetër për korrupsion në zgjedhje, ndërsa Jorgo Goro i Himarës është kallëzuar nga kryetari i votuar i të njëjtës bashki, Fredi Beleri, i cili gjendet në burg për zgjedhjet lokale.
Top Channel