Opozita, e vendosur në vazhdimin e protestave: Nuk do të lejojmë asnjë mbledhje, nëse nuk rikthehet normaliteti

01/11/2023 14:44

Deputetët e opozitës, të cilët janë përfshirë në pengimin e zhvillimit të seancës plenare dhe mbledhjeve të Komisioneve, shprehen të vendosur për të vazhduar protestën e tyre.

Deputeti Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat, pas përplasjes që pati me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, tha se nuk do të lejojnë që mazhoranca të mbajë mbledhje, duke injoruar kërkesat e opozitës.

“Nikolla është kthyer në një manekin që riprodhon porositë e Edi Ramës. Derisa opozitës t’i lejohen të drejtat e saj, edhe mazhoranca ta harroj ta kryejë veprimtarinë normale. Sollën sot 100 forca të Gardës, të sjellin 200 herën tjetër.

As seanca e nesërme dhe as një komision parlamentar nuk ka për të funksionuar. Nuk po kërkojmë t’u zëmë karriget, po kërkojmë të drejtat tona. Në atë grupin tjetër, ka deputetë që janë aty me dep të krimit të organizuar”.

Këtë të mërkurë, në orën 10:00 ishte planifikuar të mbahej Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku ministri i Financave Ervin Mete do të bënte prezantimin e projektligjit për buxhetin 2024. Por deputetët demokratë, të përjashtuar një ditë më parë nga Sekretariati i Etikës, penguan nisjen e mbledhjes.

Mbledhja u shty në orën 13:30, por sërish deputetë demokratë ishin aty për të penguar punimet. Ata hapën me forcë derën dhe krijuan tension në sallë.

Më pas, me ndërhyrjen e Gardës, nisi mbledhjes dhe fjalën e mori ministri Mete. Por pas disa minutash, për shkak të kushteve në të cilat po mbahej, mbledhja u mbyll.

Kur kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla doli nga salla, u përball me Gazment Bardhin, i cili e akuzoi se po e trajton Kuvendin si shtëpinë e vetë. “Parlament privat është ky? Nuk është as vila jote. Është parlamenti i popullit, nuk është vila jote me lekët e korrupsionit”, u shpreh Bardhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA